Kosova

Kërkohet përgjegjësi për skandalin e mishit

Kuvendi i Kosovës është duke diskutuar për skandalin e mishit të prishur të importuar në Kosovë.

Inicuesja e këtij debati, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, tha se qytetarët janë të rrezikuar nga cilësia e produkteve të mishit, derisa ka lavdëruar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë për asgjësimin e mishit të prishur nga Belgjika, përcjell albinfo.ch.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Besa Gaxheri, ka thënë se për t’u zgjidhur ky problem dhe probleme të tjera të shumta në vend, Qeveria duhet të japë dorëheqje.

Të shqetësuar me cilësinë e mishit në vend janë shprehur edhe deputetë të tjerë, duke kërkuar shkarkimin e drejtuesve të Agjencisë së Ushqimit. Por, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, kërkoi që të mos kryqëzohet kjo për skandalin me mishin e prishur, meqë sipas tij, në 33 komuna janë vetëm 11 inspektorë.

Deputetët kërkuan që në fund të debatit për skandalin me mish të prishur dhe cilësinë e ushqimit në Kosovë deputetët të dalin me një rezolutë dhe t’i obligojnë institucionet që të marrin masa në këtë drejtim.