Lajme

Kërkohet punësim sezonal në Zvicër dhe Lihtenshtajn

Zyrtarët e MPB-së kërkuan nga institucionet zvicerane që të shikojnë mundësinë për pranim të kosovarëve për punë sezonale në Zvicër dhe Lihtenshtajn

 

Institucionet e Kosovës dhe ato të Zvicrës të akredituara në Kosovë, kanë vazhduar të martën takimin e katërt të partneritetit për migrim mes dy vendeve. Në këtë takim kanë qenë i pranishëm edhe delegacioni i Principatës së Lihtenshtajnit, ndërsa është negociuar lëvizja e qytetarëve ndërmjet dy vendeve.

Në këtë takim, sipas një komunikate për media, kanë marrë pjesë, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ambasadorja e Konfederatës zvicerane në Kosovë, Krystina Marty dhe ekspertët e fushës të tre shteteve.

Ministri Rexhepi ka thënë se bashkëpunimi në fushën e migrimit ka rëndi të veçantë, për faktin se ka lëvizje të shtuar të qytetarëve ndërmjet të dy shteteve.

“Veçanërisht më gëzon fakti se tani po fillojmë diskutimet për modalitetet e migrimit qarkor dhe mundësive të para për punë sezonale të të rinjve tanë në Zvicër dhe Lihtershtajn”, tha ministri Rexhepi.

Në këtë takim është diskutuar edhe bashkëpunim policor mes tri vendeve, me qëllim të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale. “Po ashtu është diskutuar për procesin e riintegrimit të personave të riatdhesuar në Kosovë dhe për çështjen se si është duke u realizuar banimi social”, thuhet në kumtesë.

Po ashti sipas një njoftimi të MPB-së, temë diskutimi ka qenë edhe mundësia e punësimit sezonal të qytetarëve të Kosovës në Zvicër dhe në Principatën e Lihtenshtajnit, ku u kërkua specifikimi i profileve që këto vende kanë nevojë, në mënyrë që të dërgohen qytetarët kosovarë për të punuar atje.

“Po ashtu u shikua mundësia e realizimit të projekteve kulturore sa i përket diasporës shqiptare në këto vende”, thuhet në njoftim.

Ndërsa takimi i katërt i partneritetit për migrim mes dy vendeve ka hapë rrugën për nënshkrimin e një marrëveshje policore mes Republikës së Kosovës, Zvicrës dhe marrëveshjes për ripranim mes Republikës së Kosovës dhe Principatës së Lihtenshtajnit.