Kultura

Komedia zvicerane me Diar Xanin, prej nesër në Cyrih

Në teatrin e Cyrihut "Winkelwiese" "Bluetsuuger" do të shfaqet 8 herë; më 26, 27, 28, 29 tetor si dhe më 2,3,4,5 nëntor

Duke filluar nga e mërkura, 26 tetor, në teatrin e Cyrihut Winkelwiese fillon shfaqja e komedisë “Bluetsuuger” të teatrit “Schlachthaus” të Bernës, në të cilën njërin ndër rolet kryesore e luan aktori i ri kosovar Diar Xani.

“Blutsuuger” (në dialektin zviceran: gjakpirësi) është një komedi që vë në lojë paragjykimet dhe stereotipet që ka shoqëria zvicerane për të huajt. Bëhet fjalë për një lojë me klishetë. Duke qenë se zviceranët nuk duan më që t`i pastrojnë tualetet, kërkojnë njerëz nga jashtë për ta bërë këtë punë. Kështu, Hansruedi kërkon krah pune në Evropën Lindore, por kjo i del ndryshe nga sa e kishte pritur: në Zvicër i vjen “vampiri Drakuslav nga Transilvania”. Kjo rrethanë i ka shërbyer autorit Matto Kämpf dhe regjisores Christina Rast ër të bërë një lojë me dallimet ndërkulturore dhe një ballafaqim thumbues të mentaliteteve.

Komedia ka pasur premierën e saj të suksesshme në Bernë në fund të qershorit dhe më vonë ka udhëtuar për në Shtutgard ku ka pasur po ashtu disa shfaqje. I kontaktuar nga albinfo.ch, aktori Xani pret që premiera e Cyrihut ashtu si dhe shfaqjet në vijim do të kenë një jehonë edhe më të madhe. Në veçanti ai shpreson që kësaj here shfaqet të vizitohen më shumë nga komuniteti i këstushëm shqiptar.

Në teatrin e Cyrihut  Winkelwiese”, “Blutsuuger” do të shfaqet 8 herë; më 26, 27, 28, 29 tetor si dhe më 2,3,4,5 nëntor. Shfaqejet fillojnë në orën 20.30.

Biletat mund të sigurohen përmes telefonit: 044 261 21 79 ose në faqen: www.winkelwiese.ch/karten