Kosova

Konfiskohen franga zvicerane të falsifikuara në Gjakovë

Në Policinë e Kosovës është raportuar se një person i ka ofruar një zyrtari të bankës në Gjakovë, dy kartëmonedha nga 200 franga, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara

Pas një periudhe katërvjeçare, në tregun e Kosovës janë rishfaqur kartëmonedhat zvicerane (franga) të falsifikuara. Sot, në Policinë e Kosovës është raportuar se një person i ka ofruar një zyrtari të bankës në Gjakovë, dy kartëmonedha nga 200 franga, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara.

Ky zyrtar i bankës ka raportuar se ka pranuar këto mjete dhe ka njoftuar menjëherë Policinë. Monedhat e dyshuara janë konfiskuar.

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2013, dy të rinjtë nga rajoni i Gjilanit u arrestuan për prodhimin e kartëmonedhave zvicerane. Ata punonin bashkë, njëri prodhonte franga zvicerane të falsifikuara e tjetri i vinte ato në qarkullim, derisa u arrestuan. Siç kishte raportuar atëbotë policia, ishte hera e parë që dikush të ketë falsifikuar franga zvicerane.