Kosova

Konkursi për drejtor të spitaleve ngjallë reagime të shumta

Konkursi i fundit për drejtor të spitaleve ka bërë që të përplasen kryetarët e disa komunave me ministrin e Shëndetësisë.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe ai i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me tentimet e fundit të, siç kanë thënë ata, politizimit të dy spitaleve të Vushtrrisë dhe atij të Mitrovicës, përcjell albinfo.ch.

“Personi i vlerësuar me më së shumti pikë për Spitalin e Vushtrrisë është asamblist i PDK-së dhe ish -drejtori komunal në dy mandate. Po ashtu, edhe kandidatja e vlerësuar me më së shumti pikë për Spitalin në Mitrovicë është gruaja e këshilltarit politik të Kadri Veselit. Iu bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse, me theks të veçantë kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit që t‘i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për ta rishikuar rastin e konkursit për përzgjedhjen e dy drejtorëve të këtyre spitaleve”, thuhet në reagimin e dy kryetarëve.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili. Ai përmes rrjetit social Facebook, ka thënë se shqetësimi i dy kryetarëve nuk është për qytetarët dhe sistemin shëndetësor, por për veten e tyre.

Ismaili më tutje ka kërkuar nga Bahtiri dhe Tahiri që të mos përzihen në kompetencat e drejtorit të SHSKUK-së. “Ky është presion që bëhet për t’i ruajtur interesat e tyre. Por, i siguroj që të dy, dhe këdo tjetër, se nuk do të ketë dorëzim në luftimin e krimit dhe në qëllimin e mirë që më në fund të kthehet mbarë shëndetësia”, ka shkruar Ismaili.