Kosova

Kosova dhe Kanadaja me marrëveshje për investime

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është takuar sot ministrin për Tregti Ndërkombëtare të Kanadasë, François-Philippe Champagne, ku kanë nënshkruar Letrën e Qëllimit të Mirë, e cila i paraprinë Marrëveshjes për Mbrojtje të Investimeve në mes dy vendeve.

“Kosova dhe Kanadaja së shpejti do ta kenë Marrëveshjen për Mbrojtje të Investimeve në mes dy vendeve tona”, ka shkruar Thaçi në “Facebook”, përcjell albinfo.ch.

“Me ministrin për Tregti Ndërkombëtare të Kanadasë, François-Philippe Champagne, sot nënshkruam Letrën e Qëllimit të Mirë, e cila i paraprinë         kësaj marrëveshjeje.

Bashkëpunimi ynë bilateral është duke u rritur në ekonomi, veçanërisht në fushën e minierave dhe investimet kanadeze kanë shumë rëndësi për Kosovën”, ka shtuar ai.

Ndërsa, ministri për Tregti Ndërkombëtare i Kanadasë, François-Philippe Champagne, ka thënë se Marrëveshja për Mbrojtje të Investimeve do të ketë shumë rëndësi për çdo investim të mundshëm në Kosovë.

Po ashtu, presidenti Thaçi dhe ministri kanadez, François-Philippe Champagne, kanë folur edhe për reformat e bëra në ekonominë e Kosovës, ku konfirmim i suksesit në këto reforma është edhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, si dhe pranimi i Kosovës në programin e Korporatës për Sfidat e Mijëvjeçarit të Kongresit Amerikan.

Presidenti Thaçi ka thënë se investimet kanadeze janë shumë të rëndësishme për ekonominë e Kosovës.