Integrimi

Kosovarit nuk i hiqet ndalesa 10 vjeçare për hyrje në Zvicër

Gjykata Administrative Federale e konsideron të madh rrezikun për recidivizëm, nisur nga fakti se kosovari kishte shitur drogë edhe në kohën sa kishte qenë në fazën gjysmë të lirë të burgut

Një kosovar i moshës 34 vjeçare, i cili që nga lindja ka jetuar në Zvicër, pas dënimit për disa vepra penale është  dënuar edhe me dëbim nga Zvicra. Për dhjetë vitet e ardhshme ai nuk guxon të shkelë tokën e Zvicrës. duke qenë se aiështë i martuar dhe baba fëmijësh që jetojnë në Zvicër, ka bërë ankesë në Gjykatën Federale Administrative, shkruan luzerner Zeitung.

Ai ka theksuar se që nga viti 2012 nuk ka bërë asnjë delikt dhe se gjatë gjithë kësaj kohe, përfshirë këtu edhe kohn e kaluar në burgun gjysmë të hapur ai ka punuar vazhdimisht dhe gjithë kohën te i njëjti punëdhënës. Por, pesha e delikteve që ka kryer ai, ka qenë tepër e rëndë, ka konstatuar gjykata dhe ia ka hedhur posjhtë ankesën, transmeton albinfoch.

Kosovari, që në moshën 14 vjeçare kishte filluar të binte në kundërshtim me ligjin ndërsa në vitet në vazhdim, ai është dënuar plot 25 herë për delikte të ndryshme. Atij i është shqiptuar tri herë vërejtja për dëbim, herën e fundit, për shkak të borxheve ndaj shtetit prej 85 mijë frangash.

Në periudhën në mes të vitit 2010 dhe 2012 ai kishte shitur rreth 1.625 kg drogë të tipit kokainë, me ç`rast kishte realizuar një fitim prej 34 mijë frangash. Gjykata penale e Lucernit e kishte dënuar atë në qershor të vitit 2013 me 33 muaj burg për tregti me drogë, përcjell albinfo.ch. Prej gjithë kësaj, ai kishte mbajtur vetëm 6 muaj. Por edhe gjatë kohës kur ai ishte në burgun gjysmë të hapur, ishte përfshirë sërish në tregti me drogë, kishte konstatuar gjykata.

Bazuar në këtë të kaluar kriminale, Zyra për Migracion e Kantonit të Lucernit ia kishte hequr 34 vjeçarit lejen e qëndrimit në Zvicër dhe e kishte dëbuar. Pastaj, para dy vitesh kosovari ishte larguar, ndërsa Sekretariati Shtetëror për Migracion i kishte shqiptuar masën e ndalimit të hyrjes në Zvicër për dhjetë vite. Për këtë arsye ai kishte ushtruar ankesë në Gjykatën Federale Administrative.

Në ankesë ai kishte theksuar se që nga fundi i vitit 2012 jetonte në mënyrë të rregullt dhe ishte përpjekur t`i paguante borxhet. Në vitin 2013 ai ishte martuar dhe 15 muaj më vonë ishte bërë baba i një djali. Si gruaja ashtu dhe fëmija kanë nënshtetësi zvicerane kështu që për ta nuk është e lehtë të shpërngulen në Kosovë. Me jetën e ndarë 10 vjeçare ai ka thënë se dëmtohet rëndë raporti babë-bir.

Por asnjëri nga këto argumente nuk ka çuar peshë te trupi gjykues, i cili vetëm sa ka vërtetuar ndalesën dhjetëvjeçare për hyrje në Zvicër.

Gjykata Administrative Federale e konsideron të madh rrezikun për recidivizëm, nisur nga fakti se kosovari kishte shitur drogë edhe në kohën sa kishte qenë në fazën gjysmë të lirë të burgut. Kështu, prania e tij në Zvicër përbën rrezik të sigurisë publike dhe këtu nuk ndryshon gjë as ekzistimi i familjes së tij, transmeton albinfo.ch.

Bashkëshortja me të birin kanë të drejtë t`i bashkohen atij në Kosovë. Po ashtu ai mund të shfrytëzojë mundësinë që të kërkojë “për një kohë të shkurtë dhe të kufizuar në mënyrë të qartë, pezullimin e ndalimit të hyrjes në Zvicër”. Kjo lejohet kur për këtë ekzistojnë arsye të forta.