Lajme

Kosovë, trashëgimtarët kërkojnë pushtet

Në zgjedhjet e 11 qershorit, në garën zgjedhore, kanë hyrë shumë trashëgimtarë të figurave të njohura politike të Kosovës  

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, janë rreth 1000 kandidatë që ia kanë hyrë garës elektorale për t’u zgjedhur deputet të Kuvendit të Kosovës. Por, ajo që bije në sy, nëpër listat zgjedhore sivjet ka shumë trashëgimtarë të figurave të njohura politike të Kosovës, që duan të jenë në legjislaturën e  gjashtë të Parlamentit kosovar .

Në zgjedhjet e kaluara të 2014-ës, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte kandiduar vajzën e vetme të ish-presidentit dhe kryetarit të parë të LDK-së, Ibrahim Rugovës, Teuta Rugovën. Ajo është motra e Ukë Rugovës, i cili gjithashtu ishte deputetë i Kuvendit të Kosovës, por që u gjykuar në lidhje me lëshimin e paligjshëm të vizave italiane Shengen.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur që ta kandidojë përsëri Teuta Rugovën, të cilën e ka renditur të 12-ën në listë. Po ashtu si në zgjedhjet e vitit 2014, LDK sivjet ka futur në listën zgjedhore edhe Doruntina Malokun, vajzën e veprimtarit të LDK-së dhe gazetarit Enver Maloku, i cili ishte vrarë në janar të vitit 1999.

Doruntina Maloku do të jetë përsëri kandidate e LDK-së për deputete me numër 18 në listë.

Në këto zgjedhje LDK-ja ka gjetur vend edhe për një anëtare të familjes Geci nga Llausha e Skenderajt- Fitore Gecin, vajzën e Halil Gecit, njërit nga vëllezërit Geci. Në të shkuarën familja Geci ishte prezantuar në Kuvendin e Kosovës në dy legjislatura.

I pari nga Gecët kishte qenë Fadil Geci në legjislaturën 2001-2004 dhe Gani Geci në legjislaturën 2007-2010 nga radhët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, e cila ishte krijuar pas “kuvendit të karrigeve” të LDK-së, mirëpo që në fund ishte shkrirë prapë në LDK. Fitore Geci është e renditur e 99-ta në listën e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, raporton Kallxo.com.

Gani Geci, xhaxhai i saj në qershor të vitit që shkoi u dënua me katër vjet e gjysmë burg për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, ndërsa këtë rast është duke e shqyrtuar Gjykata e Apelit.

Në listën e koalicionit LDK-AKR-Alternativa është edhe vajza e myftiut të Bashkësisë Islame të Kosovës Naim Tërnava. Refiqe Beka-Tërnava është kandidate nga radhët e AKR-së, me numër 51 në listë. Naim Tërnava është duke e udhëhequr Bashkësinë Islame për të tretin mandat.

Mërgim Lushtaku është një tjetër kandidat që pretendon të bëhet deputet. Ai është djali i kryetarit të Skenderajt Sami Lushtaku që garon nën listën e PDK-së. Ai renditet i 35 në listë. Sami Lushtaku është dënuar nga dy shkallët e gjyqësorit për akuza për krime lufte gjatë viteve 1998-1999, por mbrojtja e Lushtakut është ankuar në Gjykatën Supreme kundër dënimit.

Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që në listë deputetësh ta ketë edhe një mbesë të Hashim Thaçit, tani president dhe ish-kryetar i kësaj partie. Kryesia e PDK-së e ka kandiduar Evgjeni Dragusha-Thaçin vajzën e Gani Thaçit, vëllait të Hashim Thaçit. Ajo është renditur e 45-ta në listën e koalicionit PDK-AAK-Nisma.

Pjesë e PDK-së në listën e koalicionit është edhe Beatrisa Demiri, e motra e Elvis Pistës, kandidatit për deputet po të kësaj partie që u vra në vitin 2014, 1 javë pas përfundimit të zgjedhjeve të atij viti. Ende nuk është arrestuar askush për rastin e vrasjes së Pistës.

Motra e tij, Beatrisa Demiri është e renditur e 63-ta në listën e koalicionit PDK-AAK-Nisma.

Në listën e PDK-së është edhe Andin Hoti, djali i veprimtarit të njohur Ukshin Hoti me numrin 83. Mirëpo kështu nuk kishte vepruar motra e tij, Erleta Hoti. Ajo në zgjedhjet e 2014-ës, kishte qenë kandidate për deputete nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, sikurse në këtë lëvizje kishte qenë edhe xhaxhai i tij, Afrim Hoti.

Ukshin Hoti ka qenë i burgosur politik gjatë regjimit serb në Kosovë, ndërsa që nga 99-ta ai është i zhdukur.