Sport

Lala, trajner i të rinjve të Bajernit?

Mesfushori shqiptar në Basjerndo të përcillte përvojat e tij të vlefshme dhe të siguronte stabilitet te lojtarët e rinj

Kur pritej që veterani shqiptar i futbollit, Altin Lala, i cili prej vitesh luan në Gjermani, të “varte këpucët e futbollit në gozhdë”, duket se papritur i ka buzëqeshur një perspektivë e re. Sipas medieve gjermane (Bild, sport.de etj.) Lala mund të fillojë së shpejti punën e re si trajner i skuadrës U23 të FC Bayernit të Munihut.

Mesfushori shqiptar në skuadrën e madhe të Bajernit do të përcillte përvojat e tij të vlefshme dhe të siguronte më shumë stabilitet te lojtarët e rinj.

Duket se “fajtor” për angazhimin e ri të mundshëm të Lalës është ish kolegu i tij nga Hannover96, Michel Tarnat, i cili aktualisht bën punën e skautit për Bajernin. Ai ka vendosur kontaktet në mes të Lalës dhe klubit të madh gjerman dhe u ka propozuar përgjegjësve të Bajernit angazhimin e shqiptarit.

Lala, pjesën më të madhe të karrierës së tij e ka kaluar me skuadrën Hannover 96. Me gjithë faktin se tash, për shkak të moshës, ai më shumë angazhohet në rolin e zëvendësuesit, vlera e tij dhe vendi në ekipin e trajnerit Mirko Slomka janë të larta dhe Lala edhe në aspektin sportiv vazhdon të jetë një alternativë. Por, sidoqoftë, është pothuajse e qartë se sezoni që po kalon, është i fundit si lojtar aktiv për veteranin shqiptar.