Lajme

Maqedonia, Kosova e Shqipëria, keq me lirinë e medieve

Sipas "Reporterëve pa kufij"  Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia  kanë pasur një ngritje të lehtë në lirinë e medieve, edhe pse qëndrojnë poshtë në renditje. Shqipëria renditet në vendin e 76-a, Kosova në të 82-ën, kurse më së keq qëndron Maqedonia e cila radhitet e 111-a

“Reporterë pa kufij” prezantuan të mërkurën raportin për lirinë e shtypit 2017, në cilin përfshihet lira e medieve në të gjithë botën. Sipas këtij raporti, gjatë këtij viti vihet re një përkeqësim i gjendjes së lirisë së shtypit në gjithë botën, përfshirë edhe vendet e Ballkanit. Sipas “Reporterëve pa kufij”  Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia  kanë pasur një ngritje të lehtë në lirinë e medieve, edhe pse qëndrojnë poshtë në renditje.

Shqipëria renditet në vendin e 76-a, Kosova në vendin e 82-ë, kurse më së keq qëndron Maqedonia e cila radhitet e 111-a.

Retorika armiqësore kundër medias e politikanëve udhëheqës, ligjet më të ashpra, por edhe influenca e politikës edhe në vende demokratike kanë sjellë përkeqësimin e gjendjes së mediave në të gjithë botën, thuhet në raport, raporton DW.

Në vende si SHBA, Polonia dhe Britania e Madhe liderë të politikës e shfaqin hapur përçmimin që kanë për gazetarët. Përkeqësimin e gjendjes e ka shkaktuar edhe sjellja e paskrupullt ndaj medies e qeverive të vendeve si Egjipti, apo Burundi.

Në Turqi po ashtu, sipas raportit, është përkeqësuar  gjendja e gazetarëve dhe medies, pas një vale të pashembullt represioni që nga përpjekja për puç ushtarak verën e kaluar. Ndërsa në vendet e krizës apo aty ku luftohet, si Siria, Jemeni apo Libia gazetarët ndeshen me kërcënimin për jetën.

Në vende të tjera grupet islamiste, si “Shteti Islamik” kërcënojnë rregullisht jetën e gazetarëve si Afganistan, ku talibanët vranë vitin e kaluar 10 gazetarë gjatë punës.

Kreu i organizatës “Reporterë pa kufij”, Michael Rediske është shprehur, se “shokuese është që edhe në vendet demokratike ka kufizime të pavarësisë së medias dhe punës së gazetarëve, në vend që liria e shtypit të mbahet lart, si një vlerë themelore.”

Shqetësim në këtë raport paraqet gjendja edhe në SHBA që renditet në vendin e 43 këtë vit.

Nga gjysma e dytë e vitit të kaluar janë shtuar proceset juridike kundër gazetarëve investigativë dhe “zbuluesve” të skandaleve në SHBA. Presidenti Donald Trump me fyerjet e pandalura ndaj mediave kritike distancohet nga një traditë e vjetër e SHBA-së si mbrojtësja e lirisë së shtypit, kritikon organizata “Reporterë pa kufij”.

Edhe në Francë gazetarët ndeshen me fyerje të politikanëve gjatë fushatës zgjedhore, vëren raporti. Ndërsa në Poloni, qeveria nacional-konservatore ka vënë nën kontroll televizionin publik, thuhet në raportin e “Reporterëve pa kufij”.

Më shumë se 22 gazetarë kanë humbur punën, që nga ndërrimi i pushtetit në Poloni. Hungaria po ashtu ulet në renditje, dhe kritikohet fakti, që në tetor 2016 një oligark i afërt me qeverinë bleu grupin mediatik “Mediaworks”, tek i cili dy javë më parë u mbyll gazeta opozitare “Nepszabasag” dhe ku bëjnë pjesë 12 gazeta rajonale e një gazetë sportive.

Vendin e parë në listë për gjendjen e mirë të lirisë së shtypit e zë Norvegjia dhe vendet nordike renditen pas saj, si Suedia e Finlanda. Gjermania renditet e 16-ta, pranë Luksemburgut dhe Sllovakisë. Rusia nuk ka ndryshuar renditje, ajo vazhdon të zënë vendin e 148-të në renditje dhe organizata kritikon faktin, që qeveria vepron ashpër kundër mediave kritike.

Në rajonin e Evropës Juglindore përkeqësim ka pasur Kroacia, që ka humbur 11 vende, duke u renditur e 74-a. Organizata kritikon faktin që qeveria kroate vitin e kaluar hoqi nga puna drejtorin e përgjithshëm të televizionit publik, HRT dhe e zëvendësoi atë me një proqeveritar.

Shqipëria renditet në vendin e 76, me një përmirësim prej 6 pikësh, krahasuar me vitin e kaluar, kur renditej në vendin e 82-të. Edhe Kosova ka një përmirësim të lirisë së shtypit, ajo renditet këtë vit në vendin e 82, ndërsa vitin e kaluar zinte vendin e 90-të. Maqedonia zë vendin e 111-të, megjithë një përmirësim me 7 pikë nga viti i kaluar.