Integrimi

Mësimi shqip në Zvicër, para sfidave të shumta

Derisa për komunitetet e tjera në Zvicër kujdeset shteti i tyre që të organizohet mësimi plotësues në gjuhën amtare, LAPSH-i vazhdon të kryejë këtë mision vetëm si shoqatë në Zvicër

 

Qendra Kulturore e Kosovës në Cyrih ka zgjatur dorën e shtetit të paktën duke bërë bashkë në një festë të premten mbrëma udhëheqësit kantonalë të arsimit plotësues në gjuhën shqipe dhe udhëheqësit e këshillave prindërore pranë kantoneve në Zvicër.
Derisa për komunitetet e tjera në Zvicër kujdeset shteti i tyre që të organizohet mësimi plotësues në gjuhën amtare, LAPSH-i vazhdon të kryejë këtë mision vetëm si shoqatë në Zvicër.

Sido që të jetë, organizatorët e këtij takimi, Shukrije Ramadani, u.d. e drejtorit për Qendrën Kulturore për Diasporë dhe LAPSH-i i Cyrihut, ishin kujdesur që të ndajnë mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar me punën e tyre në ruajtjen dhe kultivimin e arsimit shqip në Zvicër.

Ndërsa konsulli i Kosovës në Cyrih, Islam Spahiu, ka inkurajuar mësuesit dhe prindërit në misionin e tyre për ruajtjen e shqipes në Zvicër.

Në këtë takim pak më ndryshe janë falënderuar edhe këshillat e prindërve dhe donatorët, të cilët kanë ndihmuar në mënyra të ndryshme dhe të vazhdueshme që ta mbajnë gjallë shkollën shqipe në Zvicër.

Organizatorët kishin ftuar kryetarët kantonalë në 14 kantone, ku mbahet mësimi plotësues i gjuhë shqipe, por shumica prej tyre nuk kishin ardhur për shkak të angazhimeve të tjera.

Kryetari i LAPSH-it në Zvicër, Nexhat Maloku, ka pranuar se mësimi plotësues në këtë fazë po konfrontohet me sfida dhe me konkurrenca të ndryshme, ndërsa përkrahja nga shteti vazhdon t’i mungojë.

„Mësimi plotësues në gjuhën shqipe tashmë ka hyrë në dekadën e tretë të organizimit në Zvicër. Eshtë një traditë që po vazhdon, edhe pse nën kushte të vështira, me një interesim jo aq të madh të prindërve për t’i dërguar fëmijët  e tyre në shkollat shqipe“, tha Maloku, duke adresuar fajin edhe te çështjet organizative dhe çështjet e tjera që, sipas tij, nuk janë në nivelin e duhur që të mund të arrihet një sukses më i madh me shkollën shqipe.

„LAPSH-i është vetëm një shoqatë dhe nëse merren parasysh komunitetet e tjera, shteti ua organizon një mësim të tillë dhe ka njerëz që merren me organizimin e këtij mësimi plotësues. Ne jemi të detyruar të punojmë në këto kushte, të punojmë aq sa mundemi që të mbajmë gjallë mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Në disa kantone puna shkon më mirë, në disa më keq. Në disa kantonte mësimi i shqipes nuk mbahet fare”, thekson më tutje Maloku, duke premtuar se mësuesit nuk do të dorëzohen për shkak të rëndësisë jetike që ka mësimi plotësues për fëmijët shqiptarë.

Edhe kryetari i LAPSH „N. Frashëri“ për kantonin e Aargaut, Riza Demaj, ka folur për rëndësinë e mësimit plotësues në Zvicër dhe u ka bërë thirrje prindërve që të shfrytëzojnë rrjetin e tyre për rritjen e numrit të nxënësve në shkollat shqipe.

“Ju, prindër të dashur, që ndihmoni fëmijët tuaj të shkojnë në shkollën shqipe, po kryeni një obligim njerëzor e kombëtar. Në të gjitha ato troje shqiptare ku e kemi humbur gjuhën edhe kemi humbur edhe kulturën. Por, në mërgatë nëse fëmijët tanë nuk e mësojnë gjuhën shqipe dhe nëse ne si prindër nuk e japim kontributin tonë, atëherë në një afat më të gjatë rrezikojmë t’i humbim edhe njerëzit tanë. Prandaj, ju dëshiroj që të punoni edhe më tutje dhe në kontakte të vazhdueshme me rrjetin tuaj të kryeni obligimin edhe ndaj shtetit, po edhe ndaj fëmijëve tanë për arsye se fëmijët tanë janë edhe ardhmja jonë”, tha Demaj.

Naser Ulaj, kryetar i LAPSH „N. Frashëri“ për kantonin e Cyrihut, në fund ka falënderuar të gjitha shoqatat, sponzorët dhe mediat që ndihmuan shkollën shqipe dhe manifestimet që janë organizuar me nxënësit dhe prindërit shqiptarë në Cyryih, duke dëshiruar që takimet e tilla të bëhen tradicionale në të ardhmen.

Me këtë rast, për të pranishmit u organizua edhe një apero.