Kosova

Meta: Demarkacioni do ta përshpejtojë perspektivën evropiane të Kosovës

Meta vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm që ka bërë Kosova në këto 10 vjet dhe kthimin në një faktor stabiliteti për rajonin

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Kosovës me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Meta vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm që ka bërë Kosova në këto 10 vjet dhe kthimin në një faktor stabiliteti për rajonin.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që sot festojmë 10-vjetorin e shtetit të Kosovës, të shtetit më të ri të Evropës, të një shteti që ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në këto 10 vjet dhe të një shteti që ka padyshim një të ardhme akoma më të fortë Evropiane.

Deklarata e Presidentit Thaçi dhe atij të Malit të Zi, Vujanoviç për zgjidhjen e çështjes së Demarkacionit, do ta përshpejtojë perspektivën evropiane të Kosovës dhe liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët e saj”, ka thënë presidenti Meta. Ai ka theksuar se ka shumë arsye për të festuar, për të gëzuar për këtë sukses të jashtëzakonshëm.

“Kemi shumë arsye sot për t’u përkulur me nderim përpara veprës dhe vizionit të Presidentit të përjetshëm të Kosovës, Ibrahim Rugova, përpara sakrificave sublime të Adem Jasharit dhe të gjithë atyre që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës”, theksoi ai.