Kultura

Një muaj Frankofoni në Kosovë

Është hera e katërt që Zvicra i bashkohet ngjarjes franceze apo muajit francez, që faktikisht mbahet në shumë vende të botës

Ka nisur muaji i Frankofonisë në Kosovë.  Festa ndërkombëtare e Frankofonisë do të sgjasë deri më datë 30 mars me aktiviteteve të shumta që lidhen me kulturën franceze.

“Këtë edicion do të kemi një muaj aktivitete, sikundër viteve të kaluara kur gjithçka ndodhte në periudhë 2 javore. Ftojmë të gjithë të bashkohen, veçanërisht të rinjtë për t’u njohur më mirë me kulturën frankofone”, ka deklaruar në Prishtinë, ambasadori i Francës në Kosovë Jean-François Fitou.

“Në fakt ky është edhe një aktivitet tjetër kulturor ku janë gërshetuar kultura të ndryshme përmes gjuhës frënge. Në bashkëpunim me bashkëpunëtorët tanë, këtë herë ne kemi përgatitur një program shumë të pasur dhe mjaft atraktiv. Dhe aktivitetet do të shtrihen në tërë Kosovën”, ka thënë Fitou.

Pos tij, në një konferencë me gazetarë ku u bënë të ditura të gjitha detajet, foli edhe ambasadorja zvicerane në Prishtinë, Marty Lang.

“Është hera e katërt që Zvicra dhe instancat e saj në Kosovë i bashkohen ngjarjes franceze apo muajit francez, që faktikisht mbahet në shumë vende të botës. Do të ketë filma, shfaqje muzikore, aktivitete të ndryshme dhe unë si ambasadore e ftoj qytetarin e këtij vendi që t’i bashkëngjitet festës, sepse do të ketë gjithçka për çdo kë, sidomos për rininë” përfundon Lang.