Gjuha

Nxënësit shqiptarë në shkollën zvicerane të mësojnë shqipen në vend të frëngjishtes!

Për të përmirësuar nivelin e leximit eksperti Brühlmann propozon që fëmijët me gjuhë amtare të huaj duhet të ndjekin mësimin plotësues të gjuhëve të tyre në vend të frëngjishtes (në regjionin gjermanishtfolës të Zvicrës)

Çdo i pesti nxënës 15  vjeçar në Zvicër nuk mu d të lexojë dhe kuptojë si duhet një tekst të thjeshtë. Ky  konstatim i studimit më të ri të PISA-s i ka vënë në lëvizje ekspertët.

Njëri ndër ta, eksperti arsimor i Federatës Zvicerane të Mësuesve, Jürg Brühlmann me këtë rast ka lansuar një ide interesante për të luftuar nivelin e ulët të cilësisë së leximit te nxënësit, shkruan “NZZ am Sonntag”. Ai propozon që fëmijët me gjuhë amtare të huaj duhet të ndjekin mësimin plotësues të gjuhëve të tyre në vend të frëngjishtes (në regjionin gjermanishtfolës të Zvicrës).

Është simptomatike që mediat zvicerane që e përcjellin këtë artikull, që në titull e vendosin gjuhën shqipe si alternativë të frëngjishtes! Bëhet fjalë për një paragjykim sipas të cilit janë nxënësit ,me gjuhë amtare shqipen ata që e ulin nivelin e mxënësve zviceranë?!

Dhe kjo, nuk do të ishte ndonjë lirim nga detyrimet por një plotësim, kompensim, transmeton albinfo.ch. Në këtë mënyrë ata nxënës do të kishin më tepër kapacitet të lirë për të mësuar me themel gjermanishten.

Idenë e përmendur e ka vlerësuar si serioze dhe që mund të merret në shqyrtim edhe kryetari i Konferencës së drejtorëve të arsimit në nivel të Zvicrës, Christoph Eymann. “Kjo është një qasje e mirë, e cila ia vlen të diskutohet. Nuk bën që fëmijët të ngarkohen me gjuhët”, ka thënë ai, përcjell albinfo.ch. Por Eymann ka shtuar se këto lirime (nga detyrimi i mësimit të frëngjishtes) të shqyrtohen nga rasti në rast dhe jo për grupet si të tëra.

Megjithatë, nxënësit me prejardhje të huaj, sipas studimit të ri të PISA-s kanë pasur një ngritje të caktuar të nivelit. Për këtë arsye duhen gjetur edhe masa për fëmijët me gjuhë amtare gjermanishten por që janë të dobët në lexim, ka thënë Eymann, transmeton albinfo.ch. “Është me rëndësi që kompetencën e nxënësve në lexim ta stimulojmë herët dhe në mënyrë intensive.

Drejtori i albinfo.ch, Bashkimi Iseni, ka reaguar mbi këtë temë në edicionin e lajmeve të mbrëmjes (4min52 sek) në Radio televizionin zviceran (RTS):