Vera në Vendlindje

“Oda e Llapushës” tubon mërgimtarët në Malishevë

Në kuadër të manifestimeve të shumta “Ditët e diasporës” që po mbahet në shumë vende të Kosovës, të hënën mbrëma në Malishevë u hap edicioni i tretë i festivalit folklorik “Oda e Llapushës”, në të cilin po marrin pjesë rapsodë, shoqëri artistike dhe ansamble të këngëve dhe valleve nga të gjitha trojet shqiptare, nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës.

Në ceremoninë e hapjes kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tha se rajoni i Llapushës krenohet me rapsodët dhe këngëtarët, si: Sali e Feriz Krasniqi, Sefë Mleqani me bijtë e tij, Nexhmije Pagarusha etj. Ai në fjalën e tij falënderoi veçanërisht mërgimtarët me interesim shumë të madh po e përcjellin këtë festival.
“Ky festival, do të jetë në traditën tonë dhe do të organizohet në kuadër të ditëve të diasporës, pasi diaspora për neve është jeta vet. Ju mërgimtarë dhatë gjithçka për ta mbajtur vendin”, ka thënë kryetari Begaj në fjalën e tij.
“Mërgimtarët shkuan në tërë botën për ta mbajtur gjallë popullin dhe përpjekjet tona për liri dhe sikur dallëndyshet që kthehen në folenë e tyre, edhe ju të dashur mërgimtarë, asnjëherë nuk e harruat vendin tuaj, por gjithmonë ktheheni këtu dhe vet prezenca juaj sot këtu, do të thotë shumë për ne”, ka shtuar  Begaj.
Paraprakisht, të gjitha grupet, shoqëritë dhe ansamblet pjesëmarrëse, defiluan nëpër rrugët e qytetit, ndërsa festivalin e hapi SHKA “Sali e Feriz Krasniqi” nga Malisheva dhe më pas, me pikat e tyre u prezantuan pjesëmarrësit tjerë.
Sonte, ndërkaq, duke filluar në ora 19:00, mbahet nata e dytë, dhe më pas, shpallen edhe më të mirët e festivalit. Gjatë mbrëmjes së sotme, pritet të shfaqet edhe një dokumentar për legjendat e folklorit shqiptar Sali e Feriz Krasniqi.


 Të tjera nga Vera në Vendlindje