Kultura

“Olimpiada e baletit”, në shenjë të shqiptarëve

Grupi “Ponts-de-Martel”, fitues i Olimpiadës së parë të baletit në Neuchatel

Më 13 maj 2012 në sallën e sporteve „La Riveraine“ të Neuchatelit u mbajt premiera e Olimpiadës së parë të baletit ndërkombëtar. Ishte pra olimpiada e parë e baletit ku 12 grupe nga të gjitha shkollat e Kantonit Neuchatel konkurruan për fituesin e kupës për vitin 2012. Nismëtarë, organizatorë dhe realizatorë të këtij manifestimi kulturor ishin një grup shqiptarësh në udhëheqje të balerinit Enkel Zhuti, e të udhëheqëses artistike Edlira Dedja- Bytyqi. Këta, të ndihmuar nga Maria Angjel Zherar, koreografët e ansamblit kulturor artistik „Mërgimi“: Enver Pajazitaj dhe Florim Hasani, Behlul Bajrami, kryetar i komunitetit shqiptar në Neuchatel etj.

Në manifestim ishte i pranishëm edhe Gudar Beqiraj, kryetar i Akademisë së Shkencave i Shqipërisë, zv.ministrja e Ministrisë së Integrimit e Shqipërisë, Irida Duma-Shqina, konsulli i Kosovës në Gjenevë Benjamin Nikoliqi, veprimtari Astrit Leka, etj.

Nga jeta kulturore sportive e Neuchatelit të pranishëm ishin: Philippe Gnaegi, këshilltar i lartë i shtetit dhe ministër i Arsimit, Edukimit dhe Sportit, pastaj kryetarja për Kulturë, Turizëm dhe Sport, znj.Françoise Jeaneret dhe kryetarja e Shërbimit kantonal të sportit, Patricia Gacad.

Manifestimin e hapi dhe e moderoi animatori i njohur David Haeberli, duke paralajmëruar nismën e këtij manifestimi me valltarët e ansamblit kulturor artistik shqiptar „Mërgimi“.

© albinfo.ch

Me këngën „Neuchatel, Neuchatel“, që pretendohet të jetë edhe si himn i kësaj olimpiade dhe shumë manifestimeve të kësaj natyre në Neuchatel, e hapi olimpiadën e sivjetshme të baletit rok-stari Dilan Reka. Këtë këngë të shkruar nga Edlira Dedja-Bytyqi e ka komponuar kompozitori shqiptar Edmond Zhulali.

Rreth 220 balerinë, në 12 grupe, që përfaqësonin shkolla nga qytete të ndryshme të kantonit Neuchatel dhanë maksimumin nga vetja e tyre, duke luftuar për vendin e parë. Që të gjithë u mirëpritën me duartrokitje frenetike nga publiku i shumtë në sallë, por më të suksesshmit u dalluan anëtarët e grupit „Ponts-de-Martel“ nga qyteti me të njëjtin emër që zunë vendin e parë. Në vendin e dytë u plasua grupi „Numa-Droz“ nga Chaux-de-Fonds, kurse vendi i tretë i takoi grupit „C2T“ nga Le Landeron.

Për kënaqësinë e të pranishmëve në sallë, jashtë konkurrencës, me një pikë, u paraqit edhe grupi i shkollës së vallëzimit të Artur Libiano nga Neuchateli.

Ideatori i kësaj olimpiade dhe balerini Enkel Zhuti bashkë me balerinën Francesca Porta defiluan me një pikë baleti dhe me lojën e tyre të mrekullueshme mahnitën neuchatelasit.

© albinfo.ch  Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Gudar Beqiri

„Kjo është një shfaqje që quhet Olimpiada e baletit. Ka 12 vjet që kam filluar të organizoj shfaqje ku marrin pjesë të rinjtë. Shfaqja në shkolla të baletit është e zakonshme, por ama t´i organizosh të rinjtë nëpër shkolla publike është diçka që nuk është bërë nëpër vendet perëndimore. Tashmë kam arritur që në qytetin ku jetoj (Rovereto të Italisë), në vitin e parë, të organizoj shfaqje të këtilla në 8 shkolla, ndërsa në vitin e dytë u bënë 22 shkolla. Menjëherë pas qytetit ku jetoj fillova të organizoj në qytete më të afërta, kështu që, deri sot, kam arritur të organizoj 60 shfaqje në të gjithë Italinë e qendrës së veriut, dhe vetëm këtë vit kanë qenë të angazhuar në këtë lloj manifestimi 60 mijë të rinj. Në këtë rast ne i afrojmë edhe prindërit, kështu që është e mundur që ata të vijnë e të shikojnë edhe një shfaqje më shumë baleti ose arti që ne na jep më shumë kënaqësi. Fëmijët afrohen me lëvizjen edhe mbase shkojnë e bëjnë edhe balet. Nëqoftëse duan, pastaj mund të dalin edhe talente, sepse këta janë pjesa më e madhe edhe jobalerinë. Duhet një rrugë e tërë. Këtu mund të lind ideja që të shkojnë përpara në këtë lloj projekti. Pastaj jo vetëm kaq, por këtu kemi edhe territorin. E gjitha çfarë bëmë sot ishte nga Neuchateli. Nuk kishim nga Nju Jorku, nga Franca, nga Gjermania, që do të thotë që ne këtu jemi në gjendje të bëjmë një shfaqje të mrekullueshme me shumë njerëz; shfaqje të mëdha që quhen pa njerëz të famshëm“, u shpreh për albinfo.ch balerini i mirënjohur Enkel Zhuti.

I pyetur se si e komenton faktin që olimpiada nënkupton diç më të gjerë sesa organizimi me pjesëmarrës vetëm brenda një shteti, z. Zhuti u shpreh: „Në këtë rast ne e quajmë olimpiadë, sepse është mirë që në të gjitha shkollat të shkojmë, jo vetëm në qytetin e parë ose të dytë. Edhe quhet olimpiadë sepse, si të thuash, danca, baleti për këta njerëz që nuk bëjnë balet në të vërtetë ngrihet kaq lartë saqë mund të quhet olimpiadë për një ditë, një herë në vit. Në këtë mënyrë edhe ata e çmojnë më shumë. Nuk është për emrin. Ata e çmojnë nëse ne e bëjmë mirë apo jo, por ama në të vërtetë edhe fakti olimpiadë do të thotë që është diçka për shumë njerëz që vijnë nga shumë vende“.

Enkel Zhuti shfrytëzoi nga rasti që për suksesin e këtij manifestimi t´i falënderojë bashkorganizatorët: Edlira Dedjen, Ilir Bytyqin profesor Mishelin, Maria Angjelën etj. Ai tha se ky është një grup pune i cili ka dy vjet që po punon. Ata kanë bërë shumë mbledhje dhe pas shumë e shumë pune të kryer u arrit të bindeshin 12 shkolla.

„Profesorët morën pjesë me kënaqësi. Dhe në fakt sot, në të vërtetë e shikoj që u pëlqeu profesorëve, njerëzve. Kështu që ky grup pune në krye me Edlira Dedjen është për t´u çmuar dhe unë nuk mund të mos e vë në evidencë, sepse sikur të mos ishin ata në Zvicër unë nuk do ta bëja dot. Unë kam dëshirë që ta bëj kudo. Unë në të vërtetë kam tentuar ta bëj edhe në Londër, kam shkuar edhe në vende të tjera, por ama në këtë rast, në Zvicër është puna e tyre e madhe që u arrit të bëhej shfaqja. Këtu mori pjesë edhe ansambli kulturor artistik shqiptar „Mërgimi“ nga Neuchateli i cili i dha kënaqësi shfaqjes. Ishte një hapje shumë e pëlqyeshme dhe e kënaqshme edhe për publikun zviceran“, shprehu falënderimin z. Zhuti.

Për olimpiadën e baletit u prononcua edhe Gudar Beqiraj, kryetar i Akademisë së Shkencave i Shqipërisë. Ai tha se ishte një mrekulli, një shembull që, edhe ne që erdhëm për të parë diçka spektakulare, përveç dmth. një organizmi të shkëlqyeshëm dhe një grupi të madh fëmijësh që kërcyen, vërtet ne u ndiem shumë të kënaqur, por nga ana tjetër u panë edhe ato që mbeten si vlera që transmeton shqiptari në Zvicër. „Unë vërtet jam i lumtur që dëgjova një këngë të kënduar në frengjisht, të realizuar në një studio nga më të mirat në Shqipëri dhe nga një kompozitor më i miri në Shqipëri i cili edhe për Kosovën ka bërë mbi njëqind këngë, Edmond Zhulali. Pra kënga u këndua në frengjisht, por njëkohësisht edhe teksti ishte shkruar nga një shqiptare Edlira Dedja, kështu që përshtypja në momentin e të kënduarit të kësaj kënge për mua ishte shumë e madhe, sepse u ngrit e gjithë salla dhe e bashkëkëndoi këtë këngë që, mbase, mund të jetë nga ato këngë që do të këndohet shumë shpesh këtu në Neuchatel, si të them, mund të jetë një himn dhe këtë himn e kanë bërë shqiptarët“, u shpreh z. Beqiraj.

© albinfo.ch

Foto galeri