E-Diaspora

Orë letrare në Javën e Integrimit në Vjenë

 

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu“ organizoi një orë letrare në kuader të Javës së Integrimit në Vjenë, e cila mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Landit të Vjenës Dr. Michael Höupl.

Prania me krijimtarinë e tyre e shkrimtarëve në gjuhën shqipe, gjermani, keniane, çerkeze, polake dhe turke tregon dhe një herë për seriozitetin dhe vlerën ndërkulturore të këtij manifestimi orës letrare. Salla e bukur e bashkisë së nëntë të kryeqytetit austriak priste dhe më shumë dashamirë të fjalës letrare e poetike. Mjerisht, edhe pse ishin të ftuar radhas në disa manifestime, munguan përfaqësuesit e shoqatave simotra, mes tyre Këshilli Koordinues i

Shoqatave Shqiptare në Austri, duke dështuar prapë në detyrën e tij të koordinimit sipas statutit dhe programit ku aderon dhe organizatori i këtij aktiviteti.

Anton Marku, kryetar i Lidhjes i hapi punimet duke përshëndetur të pranishmit në emër të nikoqirit. Më pas ai falënderoi përfaqësuesit e bashkisë së 9-të të Vjenës dhe personalisht znj. Martina Malyar, kryetare. Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen e subjektit që drejton për sponsorët dhe të gjithë ata që ndihmuan organizimin e orës letrare. Ai foli edhe për  historikun pesëvjeçar të Lidhes “Aleksandër Moisiu’’ dhe qëllimet dhe saj, duke theksuar se  “Brenda kësaj kohe kemi botuar 2 antologji në gjermanisht dhe shqip si dhe kemi mbajtur mbi 40 orë letrare, ku kemi promovuar dhjetëra vepra nga krijuesit tanë këtu në Austri dhe nga vende tjera”.

Programin e drejtoj me shije në të dy gjuhët Vlora Januzi, veprimtare dhe  anëtare aktive e Lidhjes. Ajo i ftoi para publikut:  ”Udhëtojmë nga Kenia, Turqia, Polonia me ftesë  Kosove në Austri, bashkë vijnë pesë autorët e kësaj mbrëmjeje letrare. Të gjithë i bashkon letërsia. Nisur nga mendimi se çdo krijimtari artistike është produkt i biografisë së krijuesit, sonte kemi rastin t’i shijojmë frytet e pesë prej tyre”. E para që lexoi poezi, tregime dhe ese nga krijimtaria e saj ishte shkrimtarja dhe publiciste e njohur nga Kenia, Philo Ikonya, e përndjekur nga regjimi i korruptuar në vendin e saj,  e cila tani jeton në Osllo dhe Vjenë.

Nga krijimtaria e tij lexoi shkrimtari i mirënjohur austriak Peter Paul Wiplinger, anëtar nderi i Lidhjes. Ai deri tani  ka të botuar 45 vepra letrare të përkthyera në 20 gjuhë dhe në gjuhën shqipe. Wiplinger u paraqit në mbi 350 lexime letrare në shumë shtete të botës, lexoi disa poezi e tregime nga veprat e tij të fundit. Shkrimtarja nga Polonia Marzanna Danek, lexoi poezi me motive të ndryshme. Ajo ka të botuar vepra në shumë shtete të botës, është fituese e disa çmimeve ndërkombëtare me poezi, ese, tregime, etj. Huseyin Simsek, krijues në gjuhën turke i cili jeton në Vjenë lexoi nga krijimtaria e tij poezi me motive nga jeta në atdhe dhe mërgim.
Anton Marku lexoi poezi nga dy vëllimet e tij të fundit në gjermanisht dhe shqip. Ai është anëtar i PEN-Klubit në Austri dhe i përfaqësuar në antologjinë e krijuesve nga të ardhurit e kombeve të ndryshme në Austri. ‘‘Letërsia dhe muzika e frymëzojnë njëra tjetrën, këtë e plotësuan dy instrumente me harqe: violonçeli dhe violina, luajtur nga Anna Isabel Chan Flores dhe Venice Chan Flores.  Ato vijnë  nga Meksiko dhe ndërkohë janë bërë përcjellëse besnike të mbrëmjeve tona letrare”.

Në pjesën e dytë të orës letrare, me lexime u paraqitën edhe tre anëtarë të Lidhjes,  Jeta Jashari, studente nga Tetova, e cila recitoi me shije poezi nga Ismail Kadare dhe Ali Podrimja, Mërgim Osmani, i cili u prezantua me poezi nga libri i tij i fundit dhe Hazir Mehmeti me një tregim të shkurtër.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” është shembulli i shkëlqyer i prezantimit të krijimtarisë letrare në gjuhën shqipe krahas atyre të kombeve tjera. Leximet letrare në shumë qytete të Austrisë, Hungarisë, Gjermanisë janë në shërbim të shkëmbimit ndërkulturor. Ora letrare e radhës mbahet më 28 maj 2016 në Lalish Theater, i njohur si vend i shijimit të artit letrar në shumë gjuhë të komuniteteve që jetojnë në Vjenë.