Diaspora dhe pavarësia: mes shpresave dhe iluzioneve

Pavarësia dhe Diaspora

“It is better to travel hopefully than to arrive”?! (Është më mirë të udhëtosh me shpresë, se të arrish) Robert Louis Stevenson

Pavarësia është ajo fjala magjike për të cilën ëndërruan dhe vdiqën me sy hapur breza të tërë shqiptarësh. Ajo është ëndrra për të cilën shqiptarë të panumërt jetuan, luftuan dhe ranë në themelet e saj, që nga koha e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut e deri në ditët e sotme.

Shqiptarët e diasporës, në të gjitha fazat u gjendën në ballë të përpjekjeve për pavarësinë e trojeve të pushtuara. Rilindësit tanë, pothuajse të gjithë jetuan dhe vepruan në diasporë. Ata, të organizuar nëpër klube dhe shoqata atdhetare nëpër botë luajtën një rol të pazëvendësueshëm në zgjimin dhe kultivimin e ndjenjave patriotike dhe të vetëdijes patriotike të shqiptarëve. Ata financuan luftën për pavarësinë e Shqipërisë. Pas shumë e shumë përpjekjeve dhe sakrificave ajo erdhi një ditë, në Nëntorin e tretë, pikërisht më 28 Nëntor 1912. Por pavarësia e Shqipërisë nuk ishte e plotë. Atëbotë kur Perandoria Osmane po hiqte frymët e fundit, ishte Rusia ajo që imponoi shpartallimin e tokave shqiptare dhe futjen e tyre nën thundrën sllavo-ortodokse në Ballkan! Tokat shqiptare u ndanë si një plaçkë kusuritjeje në mes të fuqive të kohës. Tutori i sllavo-ortodoksizmit në Ballkan, Rusia, i shpërbleu “simotrat” Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Greqinë me tokat shqiptare.

Njëkohësisht me ripushtimin, tash e njëqind vjet më parë, fillon edhe lufta për çlirimin dhe pavarësinë e tokave shqiptare. Shqiptarët nën Jugosllavi kurrë nuk reshtën së luftuari për të qenë vetë zotër të tokave të tyre të bekuara që i trashëguan nga të parët. Përkrah rezistencës së vazhdueshme në trojet etnike shqiptare, diaspora luante sërish një rol të pazëvendësueshëm. Prapë mërgata shqiptare u mobilizua: Shqiptarët në Amerikë, Zvicër, Gjermani, Austri, Itali, Suedi, Norvegji, Danimarkë… Filloi me luftë propagandistike për të informuar dhe sensibilizuar opinionin ndërkombëtarë, në media, protesta, fushata diplomatike, ndihmë financiare (vetëm në vitet e nëntëdhjeta të shekullit njëzet u grumbulluan disa miliarda dollarë) e deri në mobilizimin për luftë në Kosovë dhe trojet tjera etnike shqiptare në Ballkan. Këtu diaspora ishte absolutisht në krye të të gjitha aktiviteteve, me njerëz, me armë dhe me para. Kosova u çlirua, me ndihmën e miqve që i kishim zënë ndër dekada.

Se ç’më sillet ndërmend një thënie e Robert Louis Stevenson ku thotë: „It is better to travel hopefully than to arrive” shqip “Është më mirë të udhëtosh me shpresë, se të arrish“! Asnjëherë më parë nuk jam pajtuar me këtë thënie disi defetiste! Por, zhvillimet e gati dy dekadave të fundit, pothuajse i japin të drejtë Stevensonit! Gjatë udhëtimit drejt ëndrrës së pavarësisë, ishim më të fortë, më të guximshëm, më të bashkuar, më solidarë, më të dashur, më të devotshëm, më atdhedashës…e sot, kur e prekëm ëndrrën? Të gjitha ato tipare sikur janë zbehur dhe me të drejtë pyesim veten: Vallë, më i mirë ishte rrugëtimi me shpresë apo arritja?

Sidoqoftë, diaspora shqiptare i kreu me nderë obligimet që iu kërkuan për shpëtimin e kombit dhe të  atdheut, në të gjitha fazat dhe në të trija luftërat e shqiptarëve në Ballkan. Edhe pse nuk pati llogaridhënie dhe u fol shumë për keqpërdorime masive të mjeteve të mbledhura për çlirimin e trojeve, ata vazhdojnë të kontribuojnë në çdo mënyrë. Investojnë djersën e fundit për zhvillimin e vendit. Sjellin miq nga Evropa dhe SHBA-të për të investuar. Shpeshherë dëshpërohen keq nga sjelljet burokratike dhe korrupsioni marramendës që po ua zë frymën trojeve arbërore. Por, mërgimtarët nuk zmbrapsen. Janë patriotët më të devotshëm, optimistë të papërmirësueshëm. „Hajt moj nëno mos ke frikë“!

Gëzuar Pavarësinë, shqiptarë kudo që jeni!

(Autori është jurist dhe mediator)

 

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/pavaresia-dhe-diaspora/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.