Bota

Policia merr në pyetje personin që vrau 10 veta në Toronto

Policia kanadeze ka marrë në pyetje ngasësin, i cili dyshohet se kishte marrë me qira një furgon dhe goditi shumë këmbësorë në Toronto të hënën, duke lënë të vdekur 10 persona dhe lënduar 15 të tjerë. Alek Minassian, 25-vjeçar, nuk ishte më herët i njohur për policinë.

Incidenti ndodhi qëllimisht, ndërsa motivi ende nuk është i qartë. “Nuk përjashtojmë asgjë. Është një fazë e hershme e hetimeve”, tha shefi i policisë në Toronto, Mark Saunders, përcjell albinfo.ch.

Kryeministri kanadez, lidhur me këtë rast, ka thënë se ky sulm tragjik e ka pikëlluar shumë. Njëkohësisht, një polic është lëvduar shumë nga publiku kanadez, i cili nuk ka qëlluar me armë ndaj të dyshuarit në momentin kur e pati mundësinë ta arrestonte dhe i cili pohonte se ishte i armatosur.

Një video e transmetuar në kanalin CBC News tregonte burrin duke e drejtuar armën kah polici dhe duke i bërë thirrje ta vriste. Polici megjithatë i kërkon që të ulet në gjunjë, e më pas e arrestoi. Njëkohësisht, fare pak të dhëna dihen për sulmuesin. Sipas policisë, Minassian është nga lagjja e Torontos, Richmond HIll. Gjatë ditës, ai do të paraqitet në gjykatë.