Lajme

Presidenti Ivanov refuzon komisionerin Hahn

Presidenti maqedonas, Gjorgje Ivanov ka refuzuar të takohet me komisionerin evropian, Johannes Hahn, i cili bashkë me tre deputetë të Parlamentit Evropian, vizitoi Shkupin

Edhe pse konsiderohet njëri nga shkaktarët e krizës politike në Maqedoni, presidenti i këtij shteti Gjorgje Ivanov ka refuzuar të takohet me komisionerin evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Johannes Hahn i cili bashkë me tre deputetë të Parlamentit Evropian, vizitoi sot Shkupin, në përpjekje për të lehtësuar daljen nga ngërçi politik.

Sipas mediave në Shkup, Ivanov ia ka përcjell porosinë komisionarit të BE-së dhe tre shoqëruesve të tij, eurodeputetëve Eduard Kukan, Knut Fleckenstein dhe Ivo Vajgl, se qëndrimi i tij është i njëtrajtshëm, ndera arsyetimi tjetër i shmangies së takimit ishte kthimi i vonë nga Hungaria.

Ndonëse ishte konfirmuar paraprakisht, takimi i tij me Menduh Thaçin e PDSH-së nuk u realizua. Nga lista e bisedimeve të planifikuara të Hahnit u hoqën edhe ato me presidentin Gjorge Ivanov.

Hahn përfundoi takimet me përfaqësuesit e Lëvizjes BESA, Aleancës shqiptare, BDI, LSDM dhe VMRO-DPMNE.

Pas takimit me Hahn, kreu i BDI-së Ali Ahmeti deklaroi se komisioneri kërkoi nga VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja, si palë përgjegjëse për zgjidhjen e krizës, që t’i përafrojnë qëndrimet e tyre dhe Maqedonia të formojë sa më shpejt institucionet e reja.

Në të njëjtin kuadër, udhëheqësi i LSDM-së Zaev, pas bisedës me Hahn tha se porositë e komisionerit ishin të qarta, ndërsa shtoi se proceset duhen përshpejtuar, pasi populli e ka humbur durimin, citon TCH.

“Porositë e Hahnit dhe eurodeputetëve janë të qarta. Ramë dakord që proceset duhet të vazhdojnë dhe të përshpejtohen. Çdo ditë e humbur është ditë e humbur për qytetarët e Maqedonisë dhe për perspektivat euroatlantike”, deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, sipas të cilit, “duhet përshpejtuar për të zënë kohën”.