Kultura

Që teatri i fëmijëve të bëhet “Më shumë se një ëndërr”

Liri Lushi ka bërë prezantimin e projektit teatror “Më shumë se një ëndërr”, dhe Mahir Mustafa ka prezantuar dramën e tij “Emi, Imi, Remi”

Çfarë ideje kemi për kulturën që kemi sjellë me vete në vendin ku kemi mërguar, si duhet ta prezantojmë atë, çfarë duhet bërë që ta kultivojmë në vendin e ri… Ishin disa nga pyetjet që u shtruan për debat në një pasdite kulturore të organizuar nga Qendra për Integrim Aleksandër Moisiu në Winterthur.

Në prag të pushimeve verore, drejtuesja e projektit, aktorja Liri Lushi, në një rreth artdashësish, ka bërë një prezantim përmbyllës të projektit teatror “Më shumë se një ëndërr”, që ka filluar të jetësohet para sa muajsh në kuadrin e Qendrës për Integrim “Aleksandër Moisiu” në Winterthur. Me këtë rast ajo ka shpërfaqur vizionin e saj për teatrin e fëmijëve, si një nismë që do përkrahje.

Projekti “Më shumë se një ëndërr”, sipas znj. Lushi, në bazament ka idenë se komuniteti ynë këtu nuk ka pse të jetë as inferior dhe as i veçuar, pasi ka çfarë t`i ofrojë nga kultura e tij shoqërisë ku jeton. Natyrisht, edhe duke i përvetësuar vlerat e shoqërisë ku jeton.

Pastaj ajo, përmes mjeteve të konkretizimit, ka bërë një hyrje rreth teatrit në përgjithësi, teorisë dhe historisë së tij, për të kaluar te shpalosja e idesë së projektit “Më shumë se një ëndërr”. Teatri, ka thënë Liri Lushi, ndihmon në mbajtjen gjallë të lidhjeve me kulturën dhe gjuhën e vendit të prejardhjes. “Ai nuk është se i zëvendëson, ta zëmë, vizitat në Kosovë, por, i kombinuar me to, e bën efektin më të madh”.

© albinfio.ch: Nga prezantimi i Liri Lushit

Një “Muze i Emigracionit”

Më tutje, Liri Lushi ka folur edhe për inkuadrimin, sipas vizionit të saj, të një “muzeu të emigracionit” në teatrin që ka nisur të krijohet. “Gjësendet që do të shërbejnë si rekuizita të skenografive të shfaqjeve, edhe pas përfundimit të tyre, do të ekspozohen në ndonjë ambient të përshtatshëm, si në sallën e teatrit (nëse do ta kemi) apo diku tjetër”.

Këto gjësende do të jenë të lidhura me mërgimin, pra duhet të kujtojnë ardhjen e mërgimtarëve këtu. Një valixhe e vjetër, një suvenir nga vendlindja, një telegram i marrë nga vendlindja apo objekte karakteristike për kohën, që mërgimtarët tanë i ruajnë nga koha e ardhjes në Zvicër ose më vonë. Këto pritet të jenë eksponatet e “muzeut të emigracionit”.

Por, Liri Lushi ka prekur edhe problemet që i dalin në rrugë realizimit të gjithë projektit dhe, në këtë kuadër, edhe teatrit. “Ne po punojmë me entuziazëm dhe në mënyrë vullnetare, por kultura, përfundimisht, nuk krijohet pa mjete”, ka qenë e prerë znj. Lushi. Prandaj ajo ka bërë apel te bashkatdhetarët tanë afaristë por dhe të tjerë që kanë mundësi, të ndihmojnë nismën.

Në këtë vazhdë drejtuesja e projektit ka falënderuar posaçërisht dr. Gazmend Halitin, stomatolog, i cili, siç bëri të ditur ajo, ka mbuluar deri më tash sallën ku trupa e re është duke i mbajtur provat tash sa muaj. Ndërsa për muajt e ardhshëm, (deri në fund të vitit) sipas saj, lokali tjetër ku do të kalojë teatri, do të paguhet nga një fond i shoqatës shqiptare-zvicerane “Korza” nga Shafhauseni.

©albinfo.ch: Fëmijët gjatë paraqitjes skenike

“Emi, Imi, Remi”  do të jetë shfaqja e parë e teatrit “Më shumë se një ëndërr”

Si shfaqje e parë që pritet të realizojë trupa e projektit “Më shumë se një ëndërr” do të jetë drama e leximit “Emi Imi, Remi” e autorit Mahir Mustafa. Një variant i shkurtër, provizor i saj është shfaqur edhe gjatë kësaj pasditeje. Aktorët Meriona Telo, Ramadan Morina dhe Yllka Zuzaku bashkë me aktorin e vogël ofruan një pamje simpatike të asaj se si do të dukej shfaqja.

Ndërsa aktorët e vegjël, të cilët në trupën “Më shumë se një ëndërr” janë pranuar përmes një audicioni, së bashku me asistenten Meriona Telo janë paraqitur me një lojë skenike dhe kanë prezantuar veten, dëshirat, preferencat etj.

©albinfo.ch: Mahir Mustafa

 Autori i dramës, Mahir Mustafa bëri një prezantim të veprës së tij, duke sqaruar emërtimin “dramë leximi” që mban “Emi Imi Remi” dhe duke shkoqitur tematikën e dramës. Sipas tij, drama e leximit, pra drama që nuk ka pretendime të vihet në skenë, është më jetësore, sepse nuk i nënshtrohet trajtave formale dramaturgjike të skenës. Mustafa ka zhvilluar më tej edhe idenë e “Muzeut të emigracionit” që pritet të funksionojë krahas me teatrin.

Në një debat të gjallë janë inkuadruar aktivistë dhe dashamirë të teatrit si Sara Grettler, Osman Osmani, Shefqet Cakolli, Afrim Hasaj etj. Ata janë interesuar për hollësitë e projektit, kanë dhënë vërejtjet dhe sugjerimet e tyre si dhe kanë ofruar mbështetjen për të.

© albinfo.ch