E-Diaspora

„Qeleshja e bardhë“ prek zemrat e poetëve zviceranë

Librin e ka botuar shtëpia botuese „Waldgut“ në Frauenfeld, kurse kritikën letrare i kanë dhënë mbrëmë në librarinë e qytetit St. Gallen „Comedia“, kolegët e tij zviceranë, dhe jo vetëm ata, të cilët kanë vlerësuar në superlativ poezitë e Sherifit. Ky i fundit, ndonëse me një zë pak a shumë drithërrues, e i mbushur me emocione, por krah tingujve të muzicentit Altin Asllani, u doli përballë edhe një herë shkronjave, që dukej se kishin marrë rolin e „Ujkut të stepave“ të shkrimtarit të madh gjerman, Herman Hesse

Në sallën për lexim të librarisë „Comedia,“ të qytetit St. Gallen, kishin ardhur afër tetëdhjetë dashamirës të librit dhe të poezisë së poetit Sherifi, i cili për qarqet kulturore të St. Gallenit dhe më gjerë, është një emër i njohur i poezisë dhe letrave të shkruara në përgjithësi.
I rrethuar me miq të kahershëm të tij, si: Ivo Ledergerber, Fred Kurer dhe Richard Butz, si dhe i mbështetur nga botuesi Beat Brechbühl, dhe në praninë e dashamirëve të poezisë së tij, kjo mbrëmje letrare nuk kishte si të ishte ndryshe, pos një mbrëmje letrare e mahnitshme.
Në hapje të këtij prezantimi, z. Butz, i cili edhe e moderoi tërë mbrëmjen, bëri të njohur rrjedhën e këtij takimi letrar, ku vuri në spikamë angazhimet e Sherifit prej autori si dhe ndërmjetësi kulturor. Ai, një nga një i radhiti botimet e inicuara nga Sherifi, botime siç janë: Antologjia poetike dygjuhëshe: „Blick durchs geöffnete Fenster/Vështrim nga dritarja e hapur“ , botimi i shtatë librave poetik në gjuhën shqipe i shtatë autorëve zviceranë, si dhe angazhimin e tij për të avancuar këto përpjekje ndërkulturore.
Duke forcuar atë që tha z. Butz, në ndërmjetzën e parë dhe të të dytë leximeve të Sherifit, folësi i rradhës, Fred Kurer, do të flasë për librin, por edhe për përpjekjet e Sherifit rreth botimit të librave të autorëve zviceranë, situata të cilat në stilin e një slam poeti – ai i përshkruan kështu: „Isuf Sherifi kërkon përkthyes, gjen një shtëpi botuese në vendlinjen e tij, hap dritare dhe na fton; hajde të flasim së bashku se; kush flet nuk është i vdekur!“ Kurer duke folur për librin „Die weisse Filzkappe“ thotë se, „Një rezultat mahnitës qëndron sot para nesh“.
Poeti Isuf Sherifi, ka vite që shkruan, por kështu qartësisht, e me një gjuhë të rrjedhshme gjermane nuk ka folur më parë.
“Një i huaj, një emigrant, përpiqet t`i njohë poetët e Zvicrës me shqiptarët. Poezitë e Isuf Sherifit janë ndoshta patetike atje, ku ai këmbëngul mbi dashurinë e tij ndaj vendlindjes. Ato janë të hidhura, e të kujtojnë çfarë ka ndodhur politikisht – dhe do të ndodhë. Në „Qeleshen e Bardhë“ rri ulur pikëllimi dhe humbja e vendlindjes – por trishtimi, pavarësisht hidhërimit ka një qetësi melankonike”, shprehet Kurer.
Poetët zviceranë janë mahnitur me stilin goditës të poezive lirike të poetit Isuf Sherifi, i cili këtë vit po e mbyll, jo me kërkesat e urimet e rëndomta për më tepër dashuri e mirësi, por për më tepër mirëkuptim, kurajo njerëzore në një botë ku jeta mes ferrit dhe parajsës kalon këmbëzbathur duke mos lënë gjurmë në shpirtrat tanë të etur për pushtet e pasuri.
Shkronjat e tij prekin trishtimin njerëzor, skajin e vuajtjeve të njerëzimit, luftërat, vrasjet, pikëllimin për vendlindje e mallin për dashurinë. Ai i shkruan Srebrenicës, Aleppos, refugjatëve, vendlindjes e Plisit. Emocioni ndaj gruas, diellit, yjeve e lirisë janë shputat e këpucave të shpirtit të vjedhur.
„Libri i Isufit me poezi është një libër i çmuar, nuk janë poezi dashurie. Ato janë shpjegime me pyetje të mëdha mbi integrimin të cilat ai i sjell në „dhjetë variacione mbi vendlindjen,“ e jetën me një të kaluar që është në kërkim të orientimit.“, ka përcjellur fjalët e Rheinhard Mermit, moderatori i mbrëmjes, gazetari Richard Butz.
Libri me 54 poezi mbanë titullin „Die weisse Filzkappe“ dhe është i pari i këtij lloji i shkruar në gjuhën gjermane nga poeti tetovar, Isuf Sherifi.
Në krijimtarinë poetike, Sherifi ka dëshmuar veten në më së paku shtatë botime të tjera, prej të cilave pesë janë libra poetik dhe dy monografik, si dhe është prezentuar në shumë botime antologjike, në shqipe dhe gjermanishte.