Kosova

Qeveria ndan 100 mijë dollarë për koalicionin anti-ISIS

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ndarja e këtyre mjeteve është një veprim humanitar

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka ndarë 100 mijë dollarë për përkrahjen e koalicionit anti-ISIS, e gjithashtu ka mbështetur kërkesën e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri për të ndihmuar një shkollë shqiptare në Luginën e Preshevës me 40 mijë euro. Këto vendime u morën në mbledhjen e rregullt që ka mbajtur qeveria nën kryesimin e Ramush Haradinajt.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ndarja e këtyre mjeteve është një veprim humanitar.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se gjatë vizitës në Preshevë ishte njoftuar me sfidat dhe problemet me të cilat përballet arsimi. “Paraqitet nevojë imidiate për investime në fushën e arsimi. 40 mijë euro për renovimin e kësaj shkolle në komunën e Bujanovcit, konkretisht në fshatin Somolicë”, tha ai.

Qeveria ka ndarë edhe mjete financiare në vlerë prej 27 mijë euro për pagesën e punonjësve me kontrata, për shërbime të veçanta në rezidencën presidenciale “Ibrahim Rugova”.