Sport

Rama vrapon qarkun e tij të fundit!

Rama ka deklaruar për albinfo.ch se në ndeshjen që luan në më 23 maj do të ketë edhe një solemnitet të vogël për fansat nga ana e tij

Milaim Rama, golgeteri veteran i Thunit, të mërkurën më 23 maj luan ndeshjen e tij të fundit në karrierën e tij aktive prej lojtari profesionist.

Futbollisti 36 vjeçar, i bërë i njohur si i pari shqiptar që ka luajtur në një kampionat evropian, te futbolldashësit në Thun dhe rrethinë gëzon një status kulti. Fansët e tij kërkojnë vazhdimisht inkuadrimin në ndeshje të Ramës me numrin e tij 9 në fanellë.

Për përfundimin e karrierës, Rama thotë për shtypin zviceran: “nuk kam mundur as të ëndërroj për një karrierë të tillë”. Të përkujtojmë: kur ai kishte ardhur nga Kosova si i ri 17 vjeçar, të vetmen përvojë me futbollin e kishte atë nga rrugët dhe fushat e fshatit ku kishte jetuar. 

Ndërsa Milaim Rama ka deklaruar për albinfo.ch se në ndeshjen që luan kundër FC Zürichut, në mbrëmjen e 23 majit në stadiumin “Arena” të Thunit, do të ketë edhe një solemnitet të vogël për fansat nga ana e tij.

“Nëse edhe klubi ka organizuar ndonjë gjë, nuk kam informata”, shprehet futbollisti i cili me gjithë famën nuk ka humbur modestinë e natyrshme.

Rama, edhe pas “pensionimit”, do të vazhdojë me futboll. Ai ka marrë diplomën B të trajnerit dhe qysh tash disa klube kanë shprehur interesim për shërbimet e tij si trajner.