Kosova

Refuzohet kërkesa e Serbisë për përfshirjen në hetimet për rastin Ivanoviq

Haradinaj: "As UNMIK-u e as EULEX-i, nuk kanë kompetenca për t’i dhënë dikujt autorizim për përfshirje në hetime. "Të vetmit që kanë kompetenca për të dhënë një autorizim të tillë janë institucionet e Kosovës . Ndërsa te ne nuk është dorëzuar një kërkesë e tillë"

Autoritetet e Serbisë kanë kërkuar nga EULEX-i dhe UNMIK-u që të marrin pjesë në hetimet për vrasjen e liderit të SDP-së Oliver Ivanoviq.

Por, kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se as UNMIK-u e as EULEX-i, nuk kanë kompetenca për t’i dhënë dikujt autorizim për përfshirje në hetime.

“Të vetmit që kanë kompetenca për të dhënë një autorizim të tillë janë institucionet e Kosovës . Ndërsa te ne te Kosova, nuk është dorëzuar një kërkesë e tillë, është kërkuar një shkëmbim informatash për të cilin edhe Kosova ka interes edhe jemi për”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme përmes një njoftimi, kanë bërë të ditur se do të shkëmbejnë informatat me institucionet e Serbisë, të cilat do të mund të kontribuojnë në zgjidhjen sa më të shpejtë të rastit Ivanoviq. Sipas këtyre dy ministrive, shkëmbimi i këtyre informatave nuk i cenon procedurat hetimore dhe juridiksionin e Republikës së Kosovës.