Zhvillim

Rreth 40 kompani zvicerane operojnë në Maqedoni

Tetova ishte nikoqire e biznes forumit "Diaspora Invest" i organizuar nga Ministria për Investime të huaja në Maqedoni, Qendra për zhvillim rajonal të Pollogut, OEMVP, GIZ dhe UNDP.


Siç raportojnë mediat nga Tetova, para afaristëve, pjesëtarëve të korit diplomatik në vend dhe mysafirëve të tjerë u prezantuan mundësitë për shfrytëzimin e start-up fondeve për sipërmarrësit e mërgatës shqiptare që duan të investojnë në vendlindje, përcjell albinfo.ch.

Ministri për Investime të Huaja në Maqedoni, Arlind Zeqiri, tha në hapje të forumit në Tetovë se diaspora shqiptare përmes remitencave të rregullta dhe investimeve në zhvillim dhe në hapjen e bizneseve në vend rrit kapitalin vendor, hap vende të reja pune, ndikon në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit, ofron mundësi për avancimin e resurseve njerëzore, me fjalë të tjera, paraqet shtyllë shumë të rëndësishme zhvillimore të ekonomisë nikoqire.

“Synimin i “Diaspora Invest” është hapja drejt afrimit dhe afirmimit të mërgatës dhe institucioneve në vend, për të cilët duhet dhe do të përkujdesemi për trajnimin e tyre institucional”, tha Zeiqiri.

“Në kohën kur mërgimtarët tanë masivisht braktisnin këtë vend për të migruar në shtete demokratike me ekonomi të fuqishme, shkaqet ishin kryesisht politike dhe ekonomike, ndërsa sot në kohën e globalizmit, lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit, lëvizja nga një vend në tjetrin, për cilin ky motiv është dukuri normale dhe trend botëror. Koha ka ndryshuar dhe sot zhvillimi demokratik dhe proceset integruese tani më janë agjenda kryesore jo vetëm e vendit tonë, por e të gjitha shteteve të Ballkanit. Qytetarët e vendit tonë fuqishëm mbështesin anëtarësimin në familjen evropiane, ndërsa ky integrim pritet të prodhojë stabilitet politik dhe mirëqenie ekonomike për të gjithë qytetarët”, theksoi mes tjerash në fjalën e saj kryetarja e Komunës së Tetovës, Tetuta Arifi.

Në anën tjetër, ambasadorja zvicerane në Shkup, Sybille Suter, vuri theksin aktualisht te rreth 80 000 qytetarë të Maqedonisë, të cilët punojnë në Zvicër, dhe një pjesë e tyre kanë shtetësi zvicerane. Ambasadorja Sybille tha që ky numër është në rritje, dhe se gati 900 qytetarë të Maqedonisë migrojnë në Zvicër dhe shumica e tyre janë nga rajoni i Pollogut. Përkundër këtij potenciali, aktualisht operojnë edhe rreth 40 kompani zvicerane në Maqedoni.

“Diaspora Invest” kishte për qëllim inkurajimin e mërgatës me qëllim informimi të tyre në sferën e zhvillimit ekonomik të rajonit të Pollogut dhe prezantimin të start – up, dhe fondet të cilat jepen nga shteti zviceran për të lehtësuar investimet nga mërgata, të cilët kanë interesim për të investuar në Maqedoni.