Shqipëria

Rritet numri i turistëve në Shqipëri

Në rritje ishte dhe gjermanët, me 34.7 mijë hyrje, me rritje vjetore prej 25%

Shqipëria është kthyer këtë vit në një vend mjaft të preferuar për turistët e huaj.

Sipas të dhënave të INSTAT, në pesë muajt e parë të vitit, në Shqipëri hynë gjithsej 1.4 milionë shtetas të huaj, me një rritje prej 7.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vendin e parë vazhdojnë ta mbajnë shtetasit nga Kosova, me 443 mijë, me një rritje prej 2.4% në raport me vitin e kaluar.

Në vend të dytë janë maqedonasit, me 205 mijë hyrje për 5 mujorin, me rritje 6% me bazë vjetore. Pas tyre vijnë grekët me 172 mijë hyrje (rritje 7.1%), malazezët me 150 mijë (+4.6), italianët me 105.5 mijë hyrje (+7.6), shkruan ‘monitor’.

Rritjen më të lartë, ndonëse duke u nisur nga një bazë e vogël e kanë shënuar polakët dhe gjermanët, përcjell albinfo.ch.

Polakët “zbuluan” vitin e kaluar Shqipërinë, përmes agjencisë më të madhe polake ITAKA dhe prenotimet e tyre rezultojnë në rritje këtë vit.

Në rritje ishte dhe gjermanët, me 34.7 mijë hyrje, me rritje vjetore prej 25%.

Nga 1 qershori, hotelet, sidomos ato në zonën e Golemit në Durrës kanë raportuar se kanë qenë 100% të prenotuara, ndaj numri i turistëve pritet në rritje. Një fluks i lartë ka ardhur nga vendet nordike, por INSTAT nuk i raporton të ndara Norvegjinë, Suedinë etj.