Zhvillim

“Shacat”, gjatë verës e kthejnë Kosovën në një eksklavë zvicerane

“175 mijë njerëz me rrënjë nga Kosova jetojnë në Zvicër. Shumë prej tyre vizitojnë gjatë verës familjarët e tyre dhe e shndërrojnë kështu Kosovën në një eksklavë zvicerane”. Asnjë vend tjetër në botë nuk është kaq i ndikuar nga Zvicra siç është Kosova...

Portali i njohur zviceran “Watson” ka nisur të martën një seri prej katër reportazheve nga Kosova. Në to synohet të pasqyrohet ndërveprimi i kosovarëve që jetojnë në Zvicër me atdheun e tyre të vjetër, Kosovën dhe atë të riun, Zvicrën. Albinfo.ch për lexuesit e vet sjellë pjesë nga këto reportazhe

“175 mijë njerëz me rrënjë nga Kosova jetojnë në Zvicër. Shumë prej tyre vizitojnë gjatë verës familjarët e tyre dhe e shndërrojnë kështu Kosovën në një eksklavë zvicerane”. Kështu fillon reportazhi i parë, në të cilin autori (Christoph Bernet) na sjell pesë takime me shqiptarë të Zvicrës gjatë kohës së pushimeve të tyre në Kosovë, “në atdheun e tyre të dytë, në të cilin ata megjithatë mbeten të huaj”.

“Kosovarët janë njëri ndër grupet më të mëdha të migrantëve në Zvicër dhe pa ta në Kosovë nuk ecën pothuajse asgjë”, thotë autori në hyrje të artikullit të parë, të botuar të martën. Gjatë vizitës në Kosovë ai ka takuar të rinj nga Zvicra me prejardhje kosovare, të cilët janë bërë ndërmarrës të suksesshëm në vendin e të parëve të tyre por edhe të tjerë që thjesht në Kosovë kanë shkuar për të vizituar familjarët e tyre. Ai po ashtu ka takuar edhe udhëheqësin e opozitës, Visar Ymerin, “i cili premton se do ta çlirojë vendin nga korrupsioni”.

Gjatë muajve të verës 52 fluturime në javë drejtohen nga Zvicra për në Kosovë. Krahas kësaj, me mijëra kosovarë të Zvicrës udhëtojnë drejt Kosovës me automobila. Ata dhe kosovarët tjerë që jetojnë në perëndim, thirren me emërtimin përkëdhelës “Schatzis” (thesar), për shkak të parave që ata gjatë pushimeve i derdhin pa kursim në Kosovë, transmeton albinfo.ch. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, vetëm gjatë vitit të kaluar ata u kanë dërguar familjarëve të tyre mbi 95 milionë franga.

Asnjë vend tjetër në botë nuk është kaq i ndikuar nga Zvicra siç është Kosova. Dhe ky ndikim vihet re përgjatë gjithë vitit: kur pronarët e shitoreve duan të japin përshtypjen se ofrojnë mall të kualitetit më të lartë, ata u lënë mallrave ose lokaleve të tyre emra si: “Swiss” ose German”. Kjo sepse dy vendet janë sinonime për produkte të përsosura.

“Schatzit” gjatë pushimeve verore e bëjnë ekonominë vendore të lulëzojë. Një studim i realizuar nga DEZA në vitin 2009 kishte ardhur në konstatimin se prodhimi i përgjithshëm vendor gjatë muajve të verës në Kosovë rritej ndjeshëm. Dhe nuk është për t`u habitur, kur dihet se nga shacat, përveç që i mbushin plot restorantet dhe shitoret, përfitojnë edhe familjarët e tyre në Kosovë, të cilëve ata u japin para ose u sjellin dhurata.

Muajt e verës janë edhe kulmi i sezonit të dasmave. Dy të ulurit pranë njëri tjetrit në aeroplan nuk njihen fare por e gjejnë shpejt një temë të përbashkët bisede: “Sa dasma i ke ti këtë vit? Mua, për fat më duhet të shkoj vetëm në një”, thotë njëri. “Unë duhej të isha në katër dasma por dy prej tyre do t`i braktis dhe do të shkoj në Shqipëri, në det”, thotë tjetri.

Dasmat në Kosovë janë ngjarje e madhe, ku prania e disa qindra mysafirëve është më shumë rregull se përjashtim, përcjell albinfo.ch. Përgjatë rrugëve magjistrale të qyteteve, qëndrojnë të ndërtuara në mes të fushave të blerta godina të ngjyrosura bardh, të destinuara vetëm për martesa dhe dasma. Ato mbajnë emra si “Imperial”, “Emerald” ose “Luxor”. Parkingjet e gjëra para këtyre lokaleve janë përplot me makina me tabela zvicerane, ashtu siç janë përplot me to edhe rrugët në Kosovë. Tabelat tregojnë po ashtu se si emigracioni në shumë vende të Kosovës funksionon sipas mostrës së njohur në shkencë si “Chain migration (migracion zinxhiror): emigrohet atje ku tashmë janë duke jetuar të afërmit e tu, të cilët ta gjejnë ndoshta një punë dhe mund të të ndihmojnë për fillimin e jetës së re. Kështu, ky emigracion zinxhiror ka bërë që nga rajone të caktuara të Kosovës të ketë më shumë njerëz që kanë emigruar në zona të caktuara të Zvicrës. Në regjionin e Gjakovës, në perëndim të vendit shohim më shumë targa automobilash të Kantoneve si Berna, Solothurni, Aargau ose Zvicra lindore, transmeton albinfo.ch. Ndërsa rreth Ferizajt, në jug të vendit mbizotërojnë targat nga Romandia (pjesa frankofone e Zvicrës) , si nga kantioni i Gjenevës, Vaudit, Neuchatelit ose Friburgut.

Vizita masive verore e “kushërinjve të pasur” sigurisht që shkakton edhe zili, thotë Liza Gashi, drejtore programi në OJQ-në Germin, organizatë që angazhohet për një lidhje më të mirë në mes të diasporës dhe atdheut. Disa kosovarë i konsiderojnë “shacat” si të padurueshëm dhe ua shohin për të madhe se nuk i respektojnë sa duhet traditat vendore. Por shumica e kosovarëve janë shumë të kënaqur me mbështetjen dhe vizitat nga jashtë, thotë Gashi. Ajo gjatë shkollimit të saj ka jetuar me vite në SHBA dhe në Argjentinë, përcjell albinfo.ch. Njerëzit në Kosovë duhet t`ia dinë vlerën faktit se kushërinjtë e tyre për çdo vit i kalojnë pushimet verore në Kosovë, thotë ajo. Sepse diçka e tillë qëmoti nuk është e vetëkuptueshme. Edhe fëmijët e diasporës sonë pas pushimeve verore dëgjojnë nga nxënësit e klasës përjetimet e tyre nga Portugalia, Dubai ose ndonjë vend tjetër. Dhe për këtë arsye nuk u duhet zënë për të madhe për çrregullimet në trafik që ndonjëherë shkaktojnë ata.

Një sjellje e tillë shkaktoi reagim të papritur një mbrëmje në Prishtinë. Kur një veturë me targa të Zvicrës e rriti shpejtësinë dhe “vetëtoi” me fërkimin e gomave nga shpejtësia në asfalt, një kalimtar u kthye nga drejtimi i makinës. Me një gjermanishte letrare pa akcent  ai iu drejtua pastaj shokëve të vet, të gjithë kosovarë nga Gjermania: “Njerëz, sa po më shkojnë në nerva të gjithë këta zviceranë këtu”.

http://www.watson.ch/International/Schweiz/210133991-Sommer-ist–wenn-die-%C2%ABSchatzis%C2%BB-einfallen–Der-Kosovo-in-Schweizer-Hand-%E2%80%93-die-Reportage

https://www.watson.ch/International/Schweiz/210133991-Sommer-ist–wenn-die-%C2%ABSchatzis%C2%BB-einfallen–Der-Kosovo-in-Schweizer-Hand-%E2%80%93-die-Reportage#discussion_210133991