Sport

Shaqiri: “Kosova, gjysma e zemrës sime”

Ekskluzive për albinfo.ch flet Xherdan Shaqiri

Njëri prej futbollistëve më të suksesshëm, i cili vazhdimisht ka shkëlqyer me performancën e tij, 20-vjeçari Xherdan Shaqiri vazhdon ta mbajë Kosovën në zemër, edhe pse u rrit dhe po bën karrierë në Zvicër.

Ylli i futbollit zviceran më së paku dy herë në vit e viziton vendlindjen prej nga e ka prejardhjen. Futbollisti gjilanas në një intervistë ekskluzive për albinfo.ch tregon për vështirësitë që i ka hasur si një i huaj në fillim të karrierës së tij në Zvicër.

Margaritari i futbollit zviceran, siç e kanë quajtur mediet zvicerane, flet në këtë intervistë edhe për jetën e tij private, sidomos për afërsinë që ka me familjen.

Albinfo.ch: Keni ardhur nga Kosova në moshën 1-vjeçare, jeni rritur në Zvicër, çka ju lidh me vendlindjen, a shkoni shpesh në Kosovë, kur keni qenë për herë të fundit atje?

Xherdan Shaiqiri: Kosova është vendlindja ime. 50 për qind është në zemrën time. Po, dy herë në vit më se paku.

Albinfo.ch: Prejardhja kosovare a ka qenë pengesë për ju të ngjiteni lartë majave të suksesit në Zvicër?

Xherdan Shaqiri: Pak po. Por, ti si i huaj duhet të angazhohesh 200 për qind. Në fillim ka qenë kështu.

Albinfo.ch: Çfarë mesazhi keni për bashkëmoshatarët tuaj në Zvicër, cili do të ishte çelësi i suksesit?

Xherdan Shaqiri: T’i dëgjojnë prindërit dhe familjen. Të japin maksimumin për të arritur diçka që kanë dëshirë.

Albinfo.ch: Tashmë jeni më të kërkuarit në Zvicër. Si mund ta përshkruani këtë histori të suksesit deri më sot ?

Xherdan Shaqiri: Nuk ka fjalë për këtë, duhesh ta përjetosh.

Albinfo.ch: Suksesi juaj në futboll nuk ka të ndalur. Ku e shihni Xherdan Shaqirin në të ardhmen?

Xherdan Shaqiri: Aty ku me sheh Zoti.

Albinfo.ch: Çfarë raporte keni me futbollistët e tjerë shqiptarë në klubet e tjera zvicerane, si Mehmedi, Xhaka, Behrami, Xhemajli etj?

Xherdan Shaqiri: Shumë raporte të mira. Me Admirin kalojmë shumë kohë bashkë, edhe kur luajmë me kombëtaren e Zvicrës.

Albinfo.ch: Ditët e fundit keni dhuruar një apartament për prindërit tuaj, çka do të thotë familja për ju dhe çka kanë kontribuar ata të jeni këtu ku jeni?

Xherdan Shaqiri: Pa familjen time nuk isha aty ku jam sot. Ishte një kohë kur nuk kishim asgjë, megjithatë prindërit më dhanë mundësinë për të luajtur futboll, për të blerë patika e tesha.

Albinfo.ch: Çka do të thotë për ju të mbani dresin e ekipit të Zvicrës, çfarë mendimi keni për futbollin në Kosovë ?

Xherdan Shaqiri: Si thash më herët, edhe Zvicra është 50 për qind në zemrën time, ngase më dha mundësinë të punojnë babai, nëna, vëllezërit dhe motra, të shkojnë në shkollë, e tjera e tjera. Ndërsa në Kosovë ka shumë talente. Por, duhet edhe shumë kohë, të rregullohet infrastruktura që ne të ndërtojmë së bashku një shtet, ku ka një standard të mirë të jetesës.

Kush është Xherdan Shaqiri?

Jeta e Xherdan Shaqirit ndryshoi tërësisht dhe me hapa shumë të shpejtë në Zvicër. Babai i tij para 25 vjetëve migroi nga Kosova në Zvicër. Si fëmijë Shaqiri flinte vetë i treti me motër e vëlla në një dhomë. Për vegjëlinë e tij shpesh kanë folur televizionet zvicerane. Madje në një kohë jetonte në një shtëpi pa nxehje. Së bashku me vëllanë e tij me paratë që fitonin nga disa projekte shkollore ndihmonin babanë e tyre të papunë. Tash është bërë lojtari më i shtrenjtë dhe vazhdimisht po shtohen kërkesat nga skuadra të forta evropiane që janë të gatshëm të japin miliona për të blerë yllin e Baselit.

Si e thërrasin Xherdanin:

“Xhuxhi magjik”, “Margaritar i pagdhendur”,”vogëlushi”, “Shaq Attack”,”Messi i Alpeve”,”Superylli i ri i futbollit zviceran”, janë disa nga epitetet me të cilat është pagëzuar Xherdan Shaqiri gjatë rrugëtimit të tij të suksesshëm si futbollist i Baselit dhe i kombëtares zvicerane.

Klikoni këtu për të parë foto galerinë