Bota

Shkarkohen zëvendëskryeministri dhe 4 politikanë për shkak të shtetësisë së dyfishtë

Zëvendëskryeministri i Australisë, Barnaby Joyce dhe katër politikanë të tjerë u zgjodhën gabimisht pasi kanë nënshtetësi të dyfishtë. Ky ishte vendimi i Gjykatës së Lartë të Australisë, një vendim që do të thotë se tre politikanë, mes të cilëve edhe Joyce, shkarkohen menjëherë nga detyrat e tyre.

Politikanët e tjerë të përfshirë në këtë çështje nuk pritën vendimin e gjykatës, por u tërhoqën që në korrik, raporton “TCH”.

Kushtetuta e Australisë e ndalon zgjedhjen në Parlament të personave me shtetësi të dyfishtë, përcjell albinfo.ch.

Ish-zëvëndëskryeministri mund të kthehet nëse fiton prapë në zgjedhje. Joyce hoqi dorë nga shtetësia neozelandeze në gusht dhe është zotuar se do të kandidojë sërish.

Katër politikanët e tjerë ishin Fiona Nash, Malcolm Roberts, Larissa Waters dhe Scott Ludlam, të cilët ishin zgjedhur deputetë.

Saga e nënshtetësisë së dyfishtë ka mbërthyer politikën australiane që prej korrikut, duke shtyrë dhjetëra deputetë australianë që të qartësojnë statusin e tyre.