Integrimi

Shqiptarët, të dytët ndër të huajt që kanë marrë një pasaportë të BE-së

Në krye të listës për vitin 2015 janë shtetasit e Marokut (86100 veta) dhe menjëherë në vendin e dytë vijnë shqiptarët, gjegjësisht 48.400 prej tyre që janë bërë shtetas evropianë

Gjatë vitit 2015 në të gjitha shtetet anëtare të BE-së marrë së bashku, janë natyralizuar (kanë fituar nënshtetësinë) rreth 840 mijë veta. Ky numër është më i vogël se ai i vitit 2014 kur ishin gjithsej 890 mijë dhe dukshëm më i vogël se në vitin 2013, shkruan financialtimes.de. duke iu referuar të dhënave nga Eurostat. Atëbotë njërën nga pasaportat e vendeve të Bashkimit Evropian e kishin fituar 980 mijë të huaj.

Ndërsa nga viti 2010 deri në fund të vitit 2015, periudhë kjo për të cilën ekzistojnë shënimet, nënshtetësinë e shteteve të BE-së e kanë fituar gjithsej më shumë se 5 milionë veta, transmeton albinfo.ch. 87 për qind të gjithë këtyre vijnë nga shtetet që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.

Në krye të listës së përfituesve (tash bëhet fjalë për vitin 2015) janë shtetasit e Marokut (86100 veta) dhe menjëherë në vendin e dytë vijnë shqiptarët, gjegjësisht 48.400 prej tyre që janë bërë shtetas evropianë, përcjell albinfo.ch. Turqit vijnë në vendin e tretë me 35.000, shtetasit e Indisë në vendin e katërt me 31 mijë e kështu me radhë. Ndërsa nga shtetasit e një vendi të BE-së që kanë marrë pasaportën e një shteti tjetër të BE-së, në vendin e parë  janë rumunët me 28400 dhe pas tyre polakët, me 17800.

Është interesante të shihen numrat e atyre që e kanë fituar shtetësinë e Gjermanisë, si vendi më i madh në BE. Gjatë vitit 2015, gjermanë para ligjit janë bërë 110.128 të huaj. Më së shumti të tillë (17.5%) kanë qenë shtetas turq, pastaj 5.4% polakë dhe 4.5% ukrainas. Në Gjermani, 75% të shtetasve të rinj kanë pasur një shtetësi të vendeve jashtë BE-së

Llogaritur me numrin e banorëve të shteteve pranuese, më së shumti natyralizime ka bërë Luksemburgu, me 5.6 në 1000 banorë, transmeton albinfo.ch. Pastaj vjen Suedia me 5.0 ndërsa mesatarja e BE-së në këtë drejtim është 1.7 në njëmijë banorë. Mesatarja në Gjermani është më e ulët, gjithsej 1.3 në 1000.