Lajme

25 mijë udhëtarë brenda 24 orëve kalojnë pikën e Tabanocit

Trendi i shtimit të radhëve të gjata nën temperaturat e larta ka nisur prej ditës së shtunë. Tani për tani në këtë periudhë pritjet janë varësisht prej 20 deri në 40 minuta, por në orët e mëngjesit raportohet për pritje më të gjata, deri në 1 orë

Rritja e fluksit të makinave dhe udhëtarëve, hapja e më shumë sporteleve, prani më e shtuar e policisë kufitare, qentë endacak dhe tollovia e paparë… janë shenjat dalluese për pikën kufitare të Tabanocit në këtë periudhë të mbërritjes së fluksit të madh të mërgimtarëve.

Fluksin e shtuar dhe pritjet e gjata në këtë pikë kufitare i shkaktojnë edhe turistët e huaj, që udhëtojnë drejt bregdetit grek, por edhe mërgimtarët turq që përmes Maqedonisë dhe më pas Greqisë udhëtojnë drejt Turqisë për të kaluar pushimet verore.

Trendi i shtimit të radhëve të gjata nën  temperaturat e larta ka nisur prej ditës së shtunë.  Tani për tani në këtë periudhë pritjet janë varësisht prej 20 deri në 40 minuta, por në orët e mëngjesit raportohet për pritje më të gjata, deri në 1 orë.

Në këtë pikë kufitare “albinfo.ch” ka arritur të regjistrojë gjithë atmosferën e tollovisë së krijuar në pikën kufitare Tabanoc, që lidh Maqedoninë me Serbinë.

Mbi 25 mijë udhëtarë brenda 24 orëve është fluksi që u regjistrua këto ditë në këtë pikë kufitare. Një nga shefat kujdestar nuk dëshiron të identifikohet dhe të jap info zyrtare, me arsyetimin për shkak të urdhrit nga lartë. Por ai jozyrtarisht pranon të flasë.

“Prej të premtes ka nisur fluksi i madh i udhëtarëve që vijnë dhe këta janë kryesisht mërgimtarët që në këtë periudhë vijnë për pushime nga vendet evroperëndimore sidomos Zvicra e Gjermania, por radhët i shtojnë edhe turistët që shkojnë për pushime verore dhe që Maqedonia përdoret si vend transit. Deri tani kemi regjistruar mbi 25 mijë udhëtarë në ditë që hyjnë në territorin e vendit tonë dhe presim që të shtohet fluksi gjatë kësaj jave. Ne jemi të përgatitur dhe se ju e shihni vetë se kemi hapur tetë linja për të evituar kolonat dhe pritjet e gjata”, theksoi shefi kujdestar i prezantuar si Jovica.

Në këtë pikë kufitare shihet se ka një mobilizim të madh, dhe se mërgimtarët deklarohen se nuk po presin shumë.

Suat Avdiu, mërgimtar nga Zvicra thekson se ka kaluar mirë rrugës dhe tani nuk ka pritur aq shumë në kufi. “Në Serbi kemi pritur më shumë, por këtu shohim se nuk ka shumë pritje. Ne ndoshta kemi fat që nuk paska shumë makina. Shpresojmë të ndodhë kështu, se më të vërtetë po rraskapitemi derisa po mbërrijmë në vendlindje. Dhe më së keqi po përjetojmë kur po mbërrijmë këtu”, thekson Suati, një mërgimtar që mezi po priste të mbërrinte në shtëpinë e tij në Kumanovë.

Edhe Ilmi.N, mërgimtar nga Tetova, që po udhëtonte drejt vendlindjes thekson se janë të pritur mirë.

“Po shumë mirë kemi kaluar dhe këtu shohim se ka më pak radhë. Në mëngjesin e sotëm u informuam se ka pasur shumë pritje dhe kolonë. Por tash në mesditë shohim se paska më pak. Ndjekim procedurat që duhet dhe shpresojmë mirë të kalojmë”, theksoi Ilmi.N.

Mërgimtarët theksojnë se në disa raste informohen dhe rekomandohen nga policët kufitar që sapo të mbërrijnë në vendlindjen e tyre, në stacionin më të afërt të paraqesin vendqëndrimin, në rast se nuk posedojnë pasaportën e Maqedonisë. 

Por, edhe nga policët kufitarë gjithashtu rekomandohet kjo procedurë për vendqëndrimin. “Ata mund të shkojnë në stacionet policore dhe sigurisht i dijnë procedurat sepse nuk e kanë zbatuar për herë të parë këtë procedurë. Por tani ka një risi dhe se paraqitjen e vendqëndrimit mund ta bëjnë edhe përmes sistemit online në faqen e Ministrisë së Brendshme http://www.mvr.gov.mk/DesktopDefault.aspx?tabindex=0&tabid=436, ku vetëm në gjuhën maqedonase mund të plotësoni formularin e vendqëndrimit, pa shkuar në stacionin policor. Por kjo paraqitje është valide për 48 orë, dhe se pas këtij afati çdo mërgimtarë apo i huaj duhet të shkojë të evidentohet në Sektorin e Punëve të Brendshme në qytetin ku jeton apo kalon pushimin.

Mërgimtarët dhe turistët e huaj duhet të kenë kujdes gjatë hyrjes në Maqedoni, sidomos nga policia, e cila nuk fal dënime për shkak të shpejtësisë së lartë nëpër rrugët e vendit apo edhe shkelje të tjera në komunikacion.

Një gjë të tillë e kanë shkruar gazeta greke dhe serbe të cilat rekomandojnë turistët që udhëtojnë për pushime në Greqi përmes Maqedonisë, të kenë kujdes dhe të përgatiten për këtë udhëtim. Rekomandimi kryesor është që të mos tejkalohet shpejtësia, për shkak se për çdo tejkalim shpejtësie pasojnë gjobat prej 300 euro.

Rekomandimi tjetër është se çdo turist që mbërrin në kufi, në pompën më të afërt duhet të ndalojë dhe 10 apo më shumë euro t`i thyenjë në denarë, për shkak të pagesës së taksave të rrugës nëpër pikat e pagesës së rrugës, për shkak se në këto pika nuk pranohen valutat e huaja. Por, për këtë mund të përdorni edhe kartelat bankare, një lehtësim më i madh.

Një mundësi e mirë është që të mbushni rezervuarin e makinës me derivate të naftës, për shkak se çmimi është më i lirë se në vendet e tjera të rajonit.

Para pushimeve verore, Qeveria e Maqedonisë me 1 korrik solli vendimin e paparashikuar, duke shtrenjtuar pagesat rrugore.

Më poshtë ua sjellim tabelën e çmimeve të reja.

 

 

Naser Pajaziti