Lajme

Armiqësi ndaj LGBT-së

Zëvendëskryeministri shqiptar, Niko Peleshi pranon se Shqipëria është një vend që reflekton armiqësi ndaj komunitetit LGBT.

Pavarësisht përpjekjeve institucionale për t’i thyer tabutë, Shqipëria ende mbetet një vend që reflekton armiqësi dhe shkelje të të drejtave të komunitetit LGBT (Lesbian, Gay, Biseksual dhe Transgjinor). Kështu deklaroi para institucioneve ndërkombëtare, zëvendëskryeministri shqiptar, Niko Peleshi.

“Jemi të vetëdijshëm se nuk kemi bërë sa duhet edhe pse viteve të fundit është bërë më shumë në këtë drejtim”, deklaroi Paleshi në konferencën Rajonale Kundër Diskriminimit, që u mbajt në Tiranë.

Një nga sukseset e mbrojtjes së të drejtave të LGBT-së është ai i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të pavarura me shoqatat LGBT dhe partnerët ndërkombëtarë, për të mbrojtur të drejtat e tyre.

“Në vendin tonë ka ende një ambient që reflekton armiqësi dhe shkelje të të drejtave të tyre, por ne po punojmë për përmirësimin dhe respektimit e të drejtave të njeriut.

Ne vlerësojmë qasjen e koordinuar dhe aktiviteteve të përbashkëta të institucioneve me komunitetin LGBT”, deklaroi ai.

Plani i veprimit për këtë komunitet, sipas zëvendëskryeministrit, është i pari në Shqipëri që përmirëson legjislacionin dhe çon në thyerjen e tabuve. Sipas Paleshit, ky është një hap si sigurt drejt një realiteti më miqësor, raporton BW.

“Ky proces nuk është i lehtë dhe as mund të realizohet në një kohë të shkurtër, por përpjekjet e përbashkëta do t’i bëjnë mirë një klime më të favorshme në shoqërinë tonë dhe do të ushtrojë presionin mbi institucionet që kanë në dorë të mbrojnë dhe forcojnë të drejtat e LGBT-së”, deklaroi zëvendëskryeministri shqiptar.

Në konferencë foli edhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili tha se Shqipëria ka bërë hapa pozitiv në luftën kundër diskriminimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe qeveria, sipas ti, vazhdon të jetë e angazhuar që të përafrojë këtë legjislacion me atë të BE.

“Kushtetuta jonë përcakton në disa dispozita respektimin dhe garantimin lirive themelore të njeriut”, deklaroi ai.

Sipas kryeparlamentarit Meta, askush nuk mund të diskriminohet për shkaqe si feja, gjuha gjendja sociale etj.

“Aksioni ynë i përbashkët po bëhet gjithnjë më efikas fal agjendës së integrimit në Bashkimin Evropian. Fal angazhimit të Avokatit të Popullit dhe institucioneve të tjera Shqipëria ka arritur të hedhë disa hapa të rëndësishëm në drejtim të mbrojtjes së të drejtave”, deklaroi Meta.