Lajme

Klerikët kërkojnë miratimin e ligjit për fetë

Përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve fetare bënë thirrje për miratimin e ligjit për fetë, që mundëson komuniteteve fetare të regjistrohen dhe t’i rregullojnë financat e tyre

Prijësit e të gjitha komuniteteve fetare të Kosovës, janë bashkuar të enjten në Prishtinë, në konferencën e dytë vjetore të dialogut ndërfetar të organizuar nga Misioni i OSBE-së. Ata edhe një herë, përcollën mesazhe paqe dhe bashkëpunimi ndëretnik, ndërsa thanë se Kosova është dëshmuar si vend i diversitetit fetarë.

Në konferencë kanë marrë pjesë përfaqësuesit e komunitetit islam, ortodoks, katolik, protestant dhe hebraik. 

Të gjithë në deklaratat e tyre bënë thirrje për përmirësim të kornizës ligjore e cila do tu mundësonte komuniteteve fetare të regjistrohen si persona juridik, të kërkojnë rikthim të pronës dhe të rregullojnë financat e tyre.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, tha se BIK-u është e hapur për të bashkëpunuar dhe luftuar çdolloj ekstremizmi i çfarëdo lloji qoftë, i cili ka për qëllim futjen e mostolerancës dhe urrejtjes mes besimeve të popujve. 

Ai tha, gjatë takimit të udhëheqësve fetarë, se është diskutuar se ka nevojë për përmirësim të Ligjit për Liritë Fetare. Gjithashtu, çështje e rëndësishme që është diskutuar, sipas tij, ishte edhe mirëmbajtja e varrezave dhe hapësira për varreza të reja.

Ndërkaq ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji, tha se ata janë bartës së mesazhit të mirë tek populli. “Populli mund të marrë mesazh të mirë nga udhëheqësit e bashkësive fetare. Në Kosovë, udhëheqësit e bashkësive fetare janë bartës të paqes, bartës të dashurisë, bartës të mirëkuptimit”, shtoi ai.

Ndërsa, udhëheqësi i Bashkësisë Hebraike të Kosovës, Votim Demiri, dhe peshkopi Teodosije bënë thirrje që sa më shpejt të aprovohet Ligji për Liritë Fetare dhe draft ligji, i cili përcakton pozitën juridike të bashkësive fetare në Kosovë.

Udhëheqësi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, tha se konferenca ofron mundësi të dërgojë mesazh tolerance.  

“I përgëzoj prijësit fetar për gatishmërinë dhe përpjekjet e tyre për të përkrahur tolerancën fetare dhe ndëretnike në Kosovë, dhe për të punuar së bashku në rritjen e kulturës së besimit dhe respektit të ndërsjellë. Kërkesa e tyre e adresuar te institucionet e Kosovës vitin e kaluar për të plotësuar dhe përmirësuar kornizën ligjore për lirinë fetare duhet të trajtohet si prioritet,” tha ambasadori  Schlumberger.

Ai theksoi se OSBE do të vazhdoj të përkrah iniciativat që promovojnë tolerancën dhe kontribuojnë në përmirësimin e situatës së komuniteteve fetare dhe komuniteteve tjera që jetojnë në Kosovë.

Konferenca përmbyll një cikël prej 20 forumeve ndërfetare të mbajtura në nivel lokal, dy kampeve ndërfetare për të rinj, dhe takimit të parë ndërfetar me gra. Misioni i OSBE-së në Kosovë, siç u tha, e ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.