Shkurt.ch

Sindikatat kërkojnë rritje të pagave 2 deri 2.5 për qind

Nga viti 2002 deri në vitin 2012 të ardhurat ezanatlinjve janë rritur vetëm për 3 për qind, ndërkohë që pagat e kuadrove të larta janë rritur rreth 18 për qind

Federata e Sindikatave të Zvicrës (SGB) ka kërkuar që në vitin 2015 në të gjitha degët e ekonomisë të rriten të ardhurat për 2 deri 2.5 për qind. Sipas një komunikate të lëshuar sot nga SGB, paratë për këtë ngritje janë në dispozicion pasi që pjesa më e madhe e ekonomisë së Zvicrës ka punuar me fitim. Ajo kërkon që ngritja të bëhet në mënyrë lineare.

Nga rritjet individuale të pagave sipas saj, përfitojnë vetëm personat me të ardhura të larta. Ndërkohë që edhe profesionistët, ata që bëjnë pjesë në shtresën e ulët dhe të mesme të të ardhurave duhet të kenë pjesën e tyre të merituar të kontributit në zhvillimin e ekonomisë.

Në veçanti, sipas SGB-së, nevoja për rritje paraqitet te profesionistët që kanë kryer zanate, shkruan srf.ch. Nga viti 2002 deri në vitin 2012 të ardhurat e kësaj kategorie janë rritur vetëm për 3 për qind, ndërkohë që pagat e kuadrove të larta gjatë kësaj periudhe janë rritur rreth 18 për qind. Në rast se ky trend do të vazhdonte, kjo do të shkatërronte sistemin zviceran të arsimimit profesional.

Për të evituar diskriminimin e femrave, SGB kërkon rritje të veçantë të pagave për to dhe transperancë të plotë pagash.