Shkurt.ch

Tetë muaj burg për shkaktarin e vdekjes së dy fëmijëve shqiptarë

Gjykata e Linz-it ka dënuar bujkun 55 vjeçar nga regjioni Gmunden me 24 muaj prej të cilëve 8 muaj burg efektiv, pjesa tjetër me kusht

Nga fundi i korrikut një shofer austriak, pasi ka hyrë në autostradë nga ana e gabuar, ka shkaktuar një aksident në të cilin kanë gjetur vdekjen dy fëmijë (vajza 9 dhe djali 20 vjeç) të një familjeje shqiptare nga Gjermania. Nga forca e goditjes së makinës së shoferit të dehur kishte pësuar lëndime të rënda dhe nëna e dy fëmijëve ndërsa më lehtë ishte lënduar babai.

Pas aksidentit, policia ka konstatuar se shkaktari kishte 1.4 promil alkool në gjak.

Gjykata e Linz-it ka dënuar bujkun 55 vjeçar nga Gmunden-i me 24 muaj prej të cilëve 8 muaj burg efektiv, pjesa tjetër me kusht.

Trupi gjykues ka arsyetuar dënimin e butë me faktin se i akuzuari i ka paguar familjes një dëmshpërblim prej 20 mijë eurosh dhe se ka ndërmarrë një terapi të shërimit nga varësia e alkoolit.

Ai kishte qenë nën ndikimin e alkoolit në natën fatale. Në të kthyer, pasi kishte vizituar një bordel, ai kishte hyrë me makinë në anën e gabuar të rrugës dhe ishte përplasur me makinën e familjes shqiptare, shkruan orf.at.

“Fatkeqësia është e rëndë, edhe për mua”, ka thënë austriaku para trupit gjykues. Ndërsa gjyqtari ka konstatuar se ai tashmë kishte qenë njëherë i dënuar për ngasje nën ndikimin e alkoolit. “Sikur të kishte nxjerrë mësim nga kjo, dy fëmijë do të ishin ende duke jetuar”, i ka tërhequr vërejtjen gjyqtari.

Vendimi nuk është i plotfuqishëm.