CH-Ballkani

Studim shkencor me vlerë në gjuhën gjermane nga një autor shqiptar

Autori i librit shkencor "Zhvillimi i Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes së BE-së dhe intervenimet në Ballkan” Dr. Hamdi Reqica ka prezantuar librin dhe bashkëbiseduar me publikun shqiptar në Cyrih

 

Në organizim të Qendrës Kulturore të Kosovës për Diasporë dhe Mërgatë në Zvicër dhe Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës, të dielën në Cyrih u bë promovimi i librit “Zhvillimi i Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes së BE-së dhe intervenimet në Ballkan” të autorit Dr. Hamdi Reqica.

Pas prezantimit të shkurtër që i kanë bërë në emrin e organizatorëve, Shukrije Ramadani, drejtoreshë e Qendrës dhe Dan Kosumi, kryetar i LKSHZ, rreth librit ka folur autori i tij, dr. Hamdi Reqica i cili aktualisht ushtron detyrën e Konsullit të Republikës së Kosovës në Munih, Gjermani.

Reqica i ka bërë librit një prezantim të thukët duke e bërë lëndën e tij më të afërt për publikun e gjerë lexues, ndonëse libri tash për tash është i botuar vetëm në gjuhën gjermane.

I pyetur nga albinfo.ch për rrethanat dhe motivet që e kanë bërë të mundur këtë libër, dr. Reqica ka thënë se libri është shkruar në kuadrin e hulumtimeve që ai ka bërë për temën e doktoratës në Universitetin e Bremenit, Gjermani. “Kam pasur fatin që shumicën e profesorëve në këtë fakultet i kisha ekspertë të të drejtës evropian e ndërkombëtare dhe bartës funksionesh në Bashkimin Evropian ose në institucionet tjera evropiane. Kjo rrethanë më ka motivuar që t`i hy studimit të kësaj teme”, thotë autori i librit.

Nën mentorimin e këtyre profesorëve, dr. Reqica ka ligjëruar në këtë universitet për plot gjashtë semestra ose tre vite akademike. “Por pastaj u përcaktova të punoja për vendin tim”, thotë ai, i pyetur për kalimin në shërbim të diplomacisë së shtetit të ri të Kosovës. Nga viti 2004 jam në Gjermani, ku kam bërë temën e magjistraturës dhe pastaj doktoratës ndërsa studimet bazë të drejtësisë i kam mbaruar në Universitetin e Prishtinës”.

Ai më tutje specifikon se tema e ngushtë e studimit të tij, politika e sigurisë e BE-së në Ballkan ka qenë të thuash një terren i pashkelur, prandaj ai i është rrekur studimit të kësaj fushe. “Dihet se çështjet e sigurisë dhe sovranitetit të çdo vendi janë të ndjeshme dhe secili shtet i kushton më shumë rëndësi atyre. Për këtë arsye edhe shtetet e BE-së, të cilat kanë politika të përbashkëta në shumë fusha të tjera, kur është fjala për sigurinë, më pak i kanë bartur kompetencat në BE gjegjësisht më tepër i kanë ruajtur për vete. Nisur nga kjo edhe nuk kanë krijuar një trupë mbrojtëse në nivel të gjithë BE-së. Megjithatë Bashkimi Evropian ka qenë mjaft aktiv në periudhën e luftërave në Ballkan gjatë viteve `90”.

Studimi i kushtohet kësaj teme dhe e përcjell në mënyrë kronologjike këtë aktivitet të BE-së, i cili ka qenë mjaft intensiv edhe sa i përket Kosovës. “Unë e kam ndjekur kronologjikisht këtu angazhimin e BE-së nga paralufta e deri në ardhjen e Eulex-it në Kosovë”, thotë dr. Hamdi Reqica, autor i këtij studimi të rrallë mbi të drejtën evropiane të shkruar nga autorët shqiptarë.

Pas prezantimit të hollësishëm të librit nga ana e autorit, është zhvilluar një debat i gjallë mes tij dhe të pranishmëve, që kësaj radhe ishin në numër të kënaqshëm. Duke qenë se libri është shkruar në gjuhën gjermane dhe është botim fare i ri, të pranishmit nuk e kishin të njohur atë, por kjo nuk i pengoi që të lëshoheshin në debat, sidomos duke u përqendruar në çështjet e sigurisë të Kosovës që tash janë më se aktuale.

Dr. Reqica u është përgjigjur me kompetencë dhe me maturi të gjitha interesimeve të publikut.

Në përmbyllje u shfaq filmi “My Hero” i regjisorit të ardhur nga Kosova, Arbër Krasniqi.

Tema e librit

Politika e përbashkët e sigurisë dhe e mbrojtjes e BE-së si një proces kompleks përfshin në vete aspekte si historike, po ashtu edhe juridike, politike dhe ushtarake. Si e tillë ajo fillimisht nuk ishte pjesë e integrimit evropian. Në vitin 1954 kishte dështuar tentimi për të krijuar një Bashkësi Evropiane të Mbrojtjes. Vetëm me kthesën në vitet `90 në Evropë dhe në sfondin e luftërave të zhvilluara si pjesë e shkatërrimit të ish Jugosllavisë, shtetet e BE-së ishin të gatshme që të unifikoheshin rreth një politike të përbashkët të mbrojtjes dhe të sigurisë. Në këtë libër trajtohen në mënyrë kontinuitive dokumentet primare dhe sekondare juridike të zhvillimit të etapave të veçanta të politikës së Përbashkët Evropiane të Sigurisë dhe të Mbrojtjes deri në bashkëpunimin e strukturuar, me fokusim të veçantë në ndërhyrjen e BE-së në zonat e luftës, para së gjithash në Ballkanin Perëndimor.