10 arsyet për të vizituar tokat shqiptare

Të rinjtë e diasporës: Në Kosovë të kënaqet shpirti

Albinfo.ch ka zhvilluar një anketë më disa të rinj nga Kosova që jetojnë në diasporë, dhe i ka pyetur se cilat janë vendet më të preferuara të tyre për t’i vizituar në  Kosovë

Albijona Muharremaj-  Ajo u bë e famshme në Gjermani. Në vitin 2015 u zgjodh “Miss Gjermania” ku edhe e përfaqësoj këtë shtet në “Miss Bota”. Pavarësisht suksesit të saj të madh në Gjermani, Albijona nuk e harron Kosovën. Thuajse secilin pushim veror ajo disa ditë i kalon edhe në Kosovë. “Mundohem të shkoj çdo vit në Kosovë. Është vendi im”, pohon ajo. Gjatë ditëve të pushimit, vajza nga Suhareka shumicën e kohës e kalon në kryeqytetin tonë, në Prishtinë. “Në Prishtinë ka shumë lokale të mira, kurse mbrëmja atje është e mrekullueshme”. Përveç Prishtinës, ajo viziton edhe qytetin e bukur të Prizrenit, pastaj kalanë e Prizrenit dhe restorantet e ndryshme që janë në përreth tij. Po ashtu thotë ajo se ka vizituar edhe Gjakovën, veçanërisht çarshinë e vjetër, ku kafeteritë në këtë pjesë e bëjnë shumë interesante këtë qytet, pa e harruar edhe bukuritë që ka qyteti i Pejës, Grykën e Rugovës dhe restorantin e njohur “Dukagjini” si dhe diskotekën “Space Club”. “Kosova ka vende shumë të bukura, vërtet ia vlen për të vizituar”, shprehet Albijona.

Blertina Hoxha: Profesioni i saj si modele, ka bërë që Blertina Hoxha të viziton vende të shumta në botë, madje ka reklamuar edhe në Dubai, por prapëseprapë Kosovën e ka në zemër. Asaj i pëlqen atmosfera, rinia dhe gjallëria që ta krijojnë qytetet e Kosovës, veçanërisht jeta e natës në Prishtinë. “Vizitoj çdo lokal, bar apo restorant në Prishtinë, por atmosfera më e mirë për mua gjatë stinës së verës është të “Kafet e vogla” të cilat gjenden te “Qafa” në Prishtinë. Në mbrëmje tek këto kafeteri mund të shihni një atmosferë shumë të mirë rinore. Po ashtu ua kisha preferuar për ta vizituar edhe “Marigona Rezidenc”, ndërkohë një restorant shumë i mirë është në Janjevë, afër Lipjanit, restorant “Anija”, ku mund të ushqeheni duke lundruar në anije.

Visar Sopi – fotograf:  Puna që e bën në Zvicër, fotografin e njohur shqiptar Visar Sopit ia bën të mundur që ditët e pushimit t’i kalon në secilin vend që dëshiron, por prapë ai zgjedh që të pushon, aty ku i pushon edhe shpirti, në Kosovë.  “Kosova jo vetëm që është vendlindja jonë, por vërtet ka vende të bukura dhe relaksuese. Më këtë rast do të i kisha veçuar vetëm disa që mua më bëjnë përshtypje dhe që i vizitoj gjithmonë gjatë pushimeve të mia në Kosovë. Qyteti i Prizrenit, një qytet i vjetër më një bukuri të mahnitshme dhe me një kulturë shumë dimensionale. Patjetër që duhet vizituar edhe qytetin e Pejës. Pozita e këtij qyteti dhe bjeshkët e larta janë vërtet përrallore. Po ashtu një vend mjaft atraktiv  janë Bjeshkët e Rugovës, Ujëvara e Mirushës. Nëse dëshironi jetën e natës, atëherë vizitoni Prishtinën, ku gjallëron si askund tjetër jeta e të rinjve, me kafeteri dhe diskoteka të ndryshme. Në Gjilan, përpos tjerave, mund të gjeni restorante moderne familjare si: “Vali Ranch”, “Planeti”, “Bojana”. Nëse keni dëshirë të ushqeheni me peshk,  një restorant që ia vlen ta vizitoni, është edhe “Trofta” në Istog”, ka thënë Visari duke shtuar se një tjetër restorant i mirë i peshkut është edhe restorant “Ibri” në Kushtovë të Mitrovicës si dhe restoranti familjar “Villa Vllahia” në Vllahi të Mitrovicës.

Vesa Vllasaliu – modele: Pushimet verore i kalon gjithmonë më familje në Kosovë, në Gjilan, pasi është edhe vendlindja e saj. Mirëpo, gjatë ditëve të pushimit në Kosovë, modelja nga Zvicra, Vesa Vllasaliu viziton edhe shumë vende dhe qytete të ndryshme të Kosovës.  “Më pëlqen të vizitoj, Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës, ku ka vende të bukura për të kaluar pushimet, pastaj vizitoj qytetin e bukur të Prizrenit, Ferizajjn e shumë qytete të tjera. Të gjithë ata që dëshirojnë të vizitojnë një vend të bukur dhe relaksues në Gjilan, do të ua kisha preferuar të gjithë të bashkatdhetarëve tanë, të vizitojnë “Vali Ranch”, një ambient familjar dhe shumë i përsosur për të kaluar ditët e pushimeve. Nëse jeni adhurues i kuajve, ky është vendi ideal për ta vizituar. Ndërkohë për të rinj mua më pëlqen edhe kafeteria “Monroe”, shprehet Vesa. Në fund ajo ka edhe një mesazh:  “Pavarësisht se ku shkoni dhe çka vizitoni, vendlindjen dhe atdheun tuaj kurrë mos e harroni”!

Ardiana Demiri:  Në Kosovë gjatë kësaj vere do t’i kalon pushimet edhe modelja tjetër Ardiana Demiri. Atje, Ardiana viziton vende të ndryshme që ia bëjnë ditët më të mira të pushimit. Ajo thotë se vendi ku e pëlqen për t’u ushqyer me familje, është restorant “Bujana” në Gjilan. Por në Gjilan, thotë ajo ka edhe vende shumë të tjera atraktive dhe interesante si për jetën rinore ashtu edhe për familje. Ndonëse sipas saj Kosova ka vende shumë të bukura dhe rini të mrekullueshme, ajo kërkon nga qeveritarët e Kosovës që të bëjnë më shumë në përmirësimin e infrastrukturës dhe punësimin më të madh të rinisë.

Naile Thaçi: Një tjetër modele shqiptare e cila jeton në Zvicër është edhe Naile Thaçi. Edhe Nailja pushimet e saj zakonisht i kalon në Kosovë, veçanërisht gjatë stinës së verës. Kohën më të madhe ajo e kalon në Prishtinë. I pëlqen shumë kryeqyteti ynë, sepse jeta rinore ka shumë gjallëri. Nailja thotë se ka restorante të shumta në Prishtinë ku mund të gjesh ushqime për secilën shije, ndërkohë në mbrëmje asaj i pëlqen lokalet si “Zone Club” dhe “Duplex”. Por jo gjithçka i pëlqen edhe Nailes në Kosovë. Problemet më të cilat ballafaqohet ajo në Kosovë, janë parkingjet e veturave. “Pavarësisht gjithçka, unë kënaqëm në Kosovë dhe e vizitoj sa herë që të kam mundësi”, thotë ajo.

Argjentina Demukaj: Nuk mund të kalon vera pa e vizituar Kosovën edhe bukuroshja Argjentina Demukaj. “Edhe pse jam lindur në Zvicër dhe jam rrit këtu, nuk mund të paramendoj vetën pa shkuar 3-4 herë në vit  në vendlindjen e babait tim, në Kosovë”. Në Kosovë, Demukaj viziton vende të ndryshme. Më së shumti rri në Prishtinë, ku ka edhe shoqërinë e saj. Megjithatë, një vend që i pëlqen shumë është Ujëvara e Drinit të Bardh në Radavc të Deçanit. “Ua kisha preferuar edhe të tjerëve që ta vizitojnë këtë vende, ka një bukuri magjepse, por edhe restorante shumë të mira për të kaluar një ditë më familje apo njerëzit që ju i doni. Ndërsa sa i përket jetës së natës, ua kisha preferuar të shkoni në Prishtinë, aty ku bashkohet e gjithë rinia e Kosovës”, thotë ajo.

Eroll Veseli:  Kosova është vendi i tij dhe çdo pushim verorë, ai e kalon atje. Qytet që i pëlqejnë janë Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani dhe qytete të tjera në Kosovë. “Më pëlqen atmosfera që bëhet gjatë verës në Kosovë. Atje të kënaqët shpirti. Disa nga vendet që i preferoj në Kosovë janë në Prishtinë: “Restorant “Gizzi grill”, kafeteria “Baron” në Gjilan, “Oxygen” në Çabratin e Gjakovës, ndërsa në mbrëmje diskoteka më e preferuar për mua është “Duplex” në Prishtinë”, nënvizon ai.

Alba Mex: Modeles shqiptare e cila jeton në Gjermani, Alba Mex i pëlqen Prishtina, ku ajo kalon kohën më të madhe të pushimeve gjatë verës. “Në Kosovë gjatë verës më së shumti rri në “Mamunia Bar”  në Prishtinë dhe tek restorant “Ariu”, një vend shumë i mirë për familje”, thotë ajo. Mirëpo, Alba viziton edhe qytete të tjera si Prizrenin, Gjakovën, Pejën e vende të ndryshme në Kosovë. “Ka vende shumë të mira për të vizituar, por më së shumti më ka pëlqye Rugova” pohon ajo. Në Kosovë sipas saj, janë njerëzit shumë më të hapur dhe më të ngrohtë se sa në Gjermani. Por, Alba ka edhe një këshillë për të rinjtë në Kosovë: “Mendoj se në Kosovë shumë merren me thashetheme. Kisha pas dëshirë që secili njeri të merret më shumë me veten e tij se sa me punët e të tjerëve”.

 

Arben Gjinaj

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 


 Të tjera nga 10 arsyet për të vizituar tokat shqiptare