Turizëm

Turizmi shënon rritje të madhe në Shqipëri

Shtetasit nga Kosova qëndrojnë në vend të parë për nga hyrjet, me 77 mijë, me një rritje prej 34.3% në raport me janarin e një viti më parë

Sipas statistikave të INSTAT, në janar kanë hyrë në Shqipëri 232 mijë shtetas të huaj, me një rritje prej 34,5 % në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndryshe nga viti i kaluar, kur u vu re një rënie e dukshme e turistëve nga Kosova, ata kanë filluar të rikthehen sërish këtë vit. Shtetasit nga Kosova qëndrojnë në vend të parë për nga hyrjet, me 77 mijë, me një rritje prej 34.3% në raport me janarin e një viti më parë, shkruan ‘Monitor’.

Në vend të dytë janë maqedonasit, me 37 mijë hyrje, të cilët kanë shënuar edhe rritjen më të madhe me 47,2 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, përcjell albinfo.ch.

Edhe në 2018-n turizmi pritet të përjetojë një vit pozitiv, në vijim të sezonit të kaluar, ku Shqipëria u “zbulua” nga polakët, çekët, anglezët etj.

Hotelet e mëdha në bregdet janë tashmë të rezervuara dhe krahas polakëve që mbizotëruan vjet, këtë vit pritet të ketë edhe shumë nordikë e më pak ukrainas.

Në total, numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në vend, në muajin janar 2018 është 605.444, duke u rritur 29,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.