Kultura

U mbajtën Takimet Pranverore Poetike të Diasporës

Me këtë rast u bë shpallja e fituesve nga konkursi anonim për poezi, prozë dhe ese. Ndërsa "Penën e artë të Martin Camajt“ juria ia ndau Dan Kosumit

 

Të dielën, në lokalet e Qendës Kulturore të Kosovës në Cyrih, SHKSHZ në bashkëpunim me QKK organizuan „Pranverën Poetike të Diasporës 2016“.
Në emër të Qendrës Kulturore të Kosovës Takimet i shpalli të hapura Drejtoresha e QKK z.Shukrije Ramadani, ndërsa në emër të SHKSHZ të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti Kryetari I SHKSHZ poeti Shaip Beqiri.

Më pas u bë shpallja e fituesve nga konkursi anonim për poezi, prozë dhe ese.

Juria në përbërjen: Shaip Beqiri, Sabit Gecaj dhe Bujar Salihu, para të pranishmëve bëri shpalljen e rezultateve:
Për poezi, juria vendosi që vendin e parë t’ia ndajë poezisë „Ky muaj“ (shifra „Letra Vija“), vendin e dytë poezisë „Dashuri e vështirë“ (shifra „20“) dhe vendin e tretë poezisë „Fëmijëve të uritur të botës“ (shifra „Saknusem“).
Për shkak të konkurrencës më të dobët për tregimin juria vendosi të ndajë vetëm dy çmime. Vendin e dytë ajo ia ndau tregimit „Porosia“ me shifër „M3210H“, kurse vendin e tretë, tregimit „Dora e jetës“ me shifër „Fjala“. Ky i fundit  rezultoi të ishte i Miradije Maliqit, e cila ishte e pranishme në aktivitet dhe e lexoi atë.

Shoqata lut autorët fitues që të dëshmojnë autorësinë.

Do theksuar me këtë rast se konkursit nuk i kishte arritur as një ese.

Për momente të këndshme muzikore u përkujdes Analiza Schneller.
Në orën letrare punimet e tyre i lexuan Shaip Beqiri, Dan Kosumi, Sabit Gecaj, Gani Bytyqi, Miradije Maliqi, Bujar Salihu dhe Brahim Avdyli.
“Penën e artë të Martin Camajt” juria në përbërjen: Shaip Beqiri, Sabit Gecaj dhe Bujar Salihu, ia ndau Dan Kosumit.