Kosova

UP-ja, në dorë të bashkëpunëtorëve të jashtëm!

Sipas hulumtimit, kjo e ka vështirësuar punën në disa fakultete të këtij universiteti, në atë masë saqë rreziku për mbyllje të disa departamenteve është shumë i madh

Në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, një numër i madh i profesorëve kanë statusin e të angazhuarve apo bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe ka shumë pak profesorë të rregullt. Kështu thotë një hulumtim i Preportr me titullin “UP, në dorë të bashkëpunëtorëve të jashtëm”.

Sipas hulumtimit, kjo e ka vështirësuar punën në disa fakultete të këtij universiteti, në atë masë saqë rreziku për mbyllje të disa departamenteve është shumë i madh.

Sipas të dhënave, në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike 41 profesorë janë me statusin e të angazhuarve, ndërsa 32 janë të rregullt. Në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës 39 profesorë janë të angazhuar, ndërsa 41 janë të rregullt. Në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit numri i profesorëve të angazhuar është 21, aq sa është edhe numri i profesorëve të rregullt. Në Fakultetin e Arteve 78 profesorë janë të angazhuar, ndërsa 79 janë të rregullt.

Ndryshe nga profesorët e rregullt, bashkëpunëtorët e jashtëm paguhen pak.