Kosova

Vajzat e vetëvrara në Prizren ishin shoqe të klasës

Dy javë më parë edhe një vajzë tjetër kishte ndërruar jetë duke kërcyer nga banesa

Polica e Kosovës ka dhënë detaje të reja në lidhje me vdekjen e një vajze të re, e cila ka kërcyer nga ballkoni i një ndërtese të lartë, për motive të cilat nuk dihen ende.

Zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha, ka konfirmuar rastin për mediat vendore, ndërsa ka thënë se bëhet fjalë për një vajzë të moshës 16 vjeçare.

Siç thotë Berisha, vajza ka kërcyer prej ballkonit të katit të 8-të të një ndërtese, që përafërsisht ishte rreth 25 metra lartësi, përcjell albinfo.ch.

Tutje, ai thotë se ka dëshmitarë që e kanë parë ngjarjen dhe kanë informuar emergjencën, por ishte vonë.

“Vajza që besohet të jetë e moshës 16 vjeçare ka kërcyer prej ballkonit të katit të 8 të një ndërtese, lartësi rreth 25 metra. Kemi dëshmitarë që e kanë parë ngjarjen, ata edhe kanë informuar emergjencën e spitalit rajonal, por ka qenë vonë për fat të keq”, është shprehur Berisha.

Dy javë më parë edhe një vajzë tjetër kishte ndërruar jetë duke kërcyer nga banesa.

Tragjedia e parë ndodhi në natën e 8 majit rreth orës 1:00 të natës. Një vajzë e moshës së re ishte hedhur nga kati i pestë i banesës për t’i dhënë fund jetës, raporton ‘Indeksonline’.

Madje, persona të afërt me të dy shoqet thonë në burime anonimiteti se vetëvrasja e sotme mund të ketë ndërlidhje me ngjarjen e parë tragjike.

“Indeksonline” ka kontaktuar me Policinë e Prizrenit të cilët kanë konfirmuar se dy viktimat kanë qenë shoqe të klasës.

Megjithatë, ende nuk dihen arsyet e qarta për këto dy ngjarje tragjike në Prizren.