Kultura

„Vendlindja ime është Gjuha Shqipe“

U promovuan librat: „Besa në traditën shqiptare„ i Akademik Mark Krasniqit dhe „Vendlindja“ i Daut Demakut

© albinfo.ch

Te shtunën, në Langenthal të Bernës u bë promovimi i dy librave „Besa në traditën shqiptare„ të Akademik Mark Krasniqit dhe „Vendlindja“ të Daut Demakut.

Ky promovim është organizuar në kuadër të kremtimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Organizatorë ishin Lidhja Shqiptare në Botë me kryetar Simon Kuzhninin, Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës me kryetar Orhan Spahiun dhe Këshillimorja ABSM e Bazelit, me kryetar Skender Nikoliqin.

Nazmi Jakurti, kryetar i LSHB për Zvicër dhe njëri ndër organizatorët e këtij promovimi pershendeti mysafirët, gjegjesisht akademikët Mark Krasniqi, Pajazit Nushi dhe Esat Stavileci si dhe Ambasadorin e Republikës së Maqedonisë Ramadan Nazifin dhe konsullin e Kosovës ne Bernë, Xhafer Ahmetin.

Simon Kuzhnini në cilësinë e nikoqirit, përshëndeti posaçërisht akademik Mark Krasniqin për kontibutin e tij madhor pothuajse 80 vjeçar dhënë çështjes kombëtare.

Ai bëri ftesë që në programet e partive politike në mbarë trojet shqiptare të ketë prioritet bashkimi i trojeve shqiptare.

Si synim i Lidhjes Shqiptare në të ardhmen deri në vigjilje të përvjetorit të 100 të Pavarësisë së Shqipërisë ëshë zhdukja e hakmarrjes dhe falja e gjaqeve, sidomos në Shqipëri ku edhe më tej shumë familje janë të ngujuara e të izoluara, dhe janë fëmijët ata që vuajnë pasojat e këtij fenomeni tragjik që fatkeqësisht ende është prezent te shqiptarët. Janë ende 1800 familje të hasmuara, ka thënë kryetari i LSHB.

Projekti që ka kjo Lidhje, synon një aksion dymujor për pajtimin e gjaqeve. Në bashkëpunim me 147 pleqnarë aktivë në Shqipëri, të cilë tanimë kanë bërë pajtimin e më se 800 familjeve të hasmuara, synohet të zhduket një herë e përgjithmonë vëllavrasja në mes të shqiptatëve. Kuzhnini propozoi që në Stadiumin Qemajl Stafa në Tiranë të bëhet organizim gjithëkombëtar i pajtimit të gjaqeve.

Dy rencensentët e librit që u promovua „Besa në Traditën shqiptare“ të Mark Krasniqit, Esat Stavileci dhe Pajazit Nushi bënë një rezyme të përbashkët.

Pajazit Nushi ceku se ne kemi në duart tona një vepër madhore, që i bën nder traditës dhe historisë sonë kombëtare.

“Krasniqi këtë herë na ka dhuruar një libër me studimin më të plotë që i është bërë Besës deri më tani.

Burrëria, Besa dhe mikpritja shqiptare janë institutuone dhe virtyte shqiptare të cilat i afirmon Mark Krasnisqi në këtë libër. Ai jep edhe shembuj konkretë nga përditshmëria dhe nga e kaluara e largët e traditës së besëdhënies gjë që e bën shumë atraktiv këtë libër për tu lexuar.

Tematika që trajton libri „Besa në Traditën shqiptare“ i siguron atij një prani të përhershme në histori dhe pritet që ky libër të jetë si nxitje për të rinjtë që të bëjnë hulumtime të vazhdueshme në këte aspekt, përfunduan jalën e tyre Esat Stavileci dhe Pajazit Nushi.

Në vazhdim e mori fjalën vet autori, akademiku 92 vjeçar Mark Krasniqi i cili bëri një përshkrim të shkurtër të punës së tij shumëvjeçare. Ai theksoi se Besa si institution, sublimon të gjitha vetitë pozitive të moralit shqiptar. Ai citoi një shkrimtar francez i cili në shkrimet e tij cek se: Feja e shqiptarëve është Besa“.

Akademik Mark Krasniqi shtoi më tej se Besa dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit kanë qenë së bashku ligje të përmbledhura për nevojat e atëhershme që kanë pasur rolin e rregullimit te jetës fisnore, zakonore dhe tradicionale në trojet shqiptare.

Ai për këtë virtyt të çmuar të shqiptarëve solli edhe disa shembuj konkretë nga historia, që tregojnë për dhënien e Besës dhe mbajtjen e saj edhe atëherë kur ka qenë në pyetje armiku.

Krasniqi përmendi rastin e njohur nga epoka e Lidhjes së Prizrenit, kur Avdulla Pashë Dreni i jep Besën Mehmet Ali Pashë Maxharrit dhe ia mbron sarajet me luftëtarët e vet, edhe pse ky i fundit u kërkonte shqiptarëve dorëzimin e trojeve të tyre. Në fund, të gjithë vdesin, si besëdhënësi me luftëtarët e tij shqiptarë, po ashtu edhe Ali pashë Maxharri i cili është i varrosur në Gjakovë. Varri i tij ruhet nga vendasit me kujdes të veçantë.

Në fund iu dha fjala edhe autorit të Librit „Vendlindja“, Daut Demakut.

Demaku në fokus të librit të tij ka një burrë i cili tërë jetën e tij e kishte kaluar në një vend të huaj dhe kur pensionohet vendos të kthehet në vendlindje, ku ndjen lehtësim.

Për Daut Demakun i „vetmi shkarkim pozitiv i energjisë negative bëhet në vendlindje“, dhe menaxhimi i energjisë pozitive bëhet vetëm aty ku je lindur. Ai porositi të gjithë mërgimtarët që të kultivojnë gjuhën shqipe, të flasin e të luten shqip, etj.

Në fund iu dha rasti të pranishmëve që t`u bëjnë pyetje autorëve dhe recensentëve të libraveqë u promovuan.

Pati pyetje drejtuar mysafirëve nga Prishtina për mungesën e vizitave të akademikëve tanë në Zvicër ku mund tu ligjëronin studentëve të shumtë shqiptarë. Po kështu iu drejtuan kritika edhe institucioneve kosovare për mosshfrytëzimin e trurit shqiptar në mërgim si dhe u kërkua nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovws që të dalë me një platformë konkrete për ribashkimin e trojeve shqiptare.

Këtu u ndërlidh Profesor Daut Demaku dhe e solli një thënje të një shkrimtari francez i cili kishte thënë: “Vendlindja ime është Gjuha ime“. Pra sipas kësaj thënieje, trojet ku flitet gjuha shqipe mund të quhet Vendlindje.

Në fund të këtij promovimi fjalën e mori Akademik Mark Krasniqi dhe e solli një citat nga libri i tij *Jehona e kohës“.

Foto glaeri