Autotech

Volkswageni, përkundër të gjitha skandaleve, gjatë vitit 2017 fitoi 11.4 miliardë euro

Gjatë vitit 2017, fabrikat e grupit VW, të cilit i takojnë markat si: VW, Audi, Skoda, Seat dhe Porsche, kanë shitur 10.7 milionë automjete në gjithë botën

Koncerni i madh gjerman i industrisë automobilistike, “Volkswagen” ka arritur në vitin e kaluar një fitim rekord neto.

Plot 11.4 miliardë euro ka peshuar fitimi për vitin 2017, fitim ky që është më shumë se dyfish më i madh se ai në vitin paraprak. Dhe e gjithë kjo është arritur në kushtet e përballjes me aferën e rëndë të emetimit të gazit, për të cilën, koncernit i është dashur të shpenzojë disa miliarda euro.

Fitimi i vitit 2017 e ka tejkaluar po ashtu edhe atë të vitit të fundit para shpërthimit të skandalit të manipulimeve softuerike në motorët dizel, atë të vitit 2014.

Gjatë vitit 2017, fabrikat e grupit VW, të cilit i takojnë markat si: VW, Audi, Skoda, Seat dhe Porsche, kanë shitur 10.7 milionë automjete në gjithë botën. Ky numër është për 4 për qind më i madh se një vit më parë. VW është bërë kështu prodhuesi i madh i automjeteve në botë.

Qarkullimi gjatë vitit 2017 po ashtu është rritur, duke u ndalur në 230.7 miliardë euro, që është për 6.2% më shumë se  një vit më parë.