CH-Ballkani

Zvicra financon hapjen e fabrikës për lajthi dhe arra në Graçanicë

Është hapur në Graçanicë të Kosovës fabrika e parë për përpunimin e lajthive dhe arrave

Projekti në vlerë prej 300 mijë eurosh është mbështetur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë.

Kompania ‘Ko’Nuts’ që do të merret me përpunimin e lajthive dhe arrave dhe që është në Graçanicë aktualisht ka punësuar 13 punëtorë, kurse plani i tyre është të rrisë këtë numër, edhe me punëtorë nga komunitetet, përfshirë edhe atë serb, raporton KTV, përcjell albinfo.ch.

Bashkëthemeluesi i Ko’Nuts, Betim Selmanaj, tha se kjo është kompania e parë e përpunimit të lajthive dhe arrave në rajonin kosovar

Stefan Butcher nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim  tha se fillimi i punës së kësaj fabrike, jep shembullin më të mirë të zgjerimit të sektorit privat dhe të mundësive të punësimit për njerëz për punë sezonale dhe për persona me kontratë afatgjate.

“Ata na tregojnë se është e mundur të bëhet biznes, disa nga ne ndoshta e fajësojmë motin e keq, sistemin bankar, mungesën e vullnetit politik, megjithatë po e shohim që ka mundësi të zhvillimit të këtij sektori.” , tha Butcher.

Projekti i themelimit të fabrikës ‘Ko’Nuts’ është mbështetur nga Promovimi i Punësimit në Sektorin Privat -PPSE dhe financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë.