Shqipëria

100 mijë vetura të pasiguruara në rrugë

Aksioni vjen në një moment kur shifra zyrtare e automjeteve të pasiguruara është në nivele shqetësuese në rreth 100 mijë të tilla

Në muajin qershor Policia Rrugore, Drejtoria e Shërbimit të Transportit të Shqipërisë në bashkëpunim dhe me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare do të nisin një aksion për të bllokuar qarkullimin e veturave të pasiguruara. Aksioni vjen në një moment kur shifra zyrtare e automjeteve të pasiguruara është në nivele shqetësuese në rreth 100 mijë të tilla, raporton “Vision Plus”.

Kreu i AMF Ervin Koci, tha se fillimisht janë evidentuar 6 mijë automjete që qarkullojnë pa siguracion, të cilat do të jenë në shënjestrën e policisë.

“Makinat e pasiguruara arrijnë në 19,5 % të totalit. Në muajin qershor do të nisim aksion për bllokimin e tyre”, shprehet Koci, përcjell albinfo.ch.

Informaliteti në tregun e sigurimeve është edhe një nga shkaqet, që kompanitë zvarrisin kompensimin e qytetarëve, në raste aksidentesh.

Ky fakt ka bërë që të akumulohen borxhe të papaguara ndër vite nga Byroja e Sigurimeve, në shumën 1.7 miliardë lekë, ndonëse kompanitë kanë nisur të paguajnë këto borxhe, tre prej tyre rezultojnë se nuk po e zbatojnë vendimin e AMF, por kjo e fundit nuk ka marrë masë për penalizmin e tyre.

Në tregun e sigurimeve operojnë 8 kompani. Por ndonëse tregu ndër vite ka shfaqur anomali të theksuara, askush nuk është penalizuar, ndërsa viktima janë vetëm konsumatorët.