Shqipëria

17 vrasësit që do të deportohen nga Britania në Shqipëri

Një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe do të bëjë që kjo e fundit të deportojë 17 shqiptarë për në vendlindje.

“The Sunday Telegraph” shkruan se ata akuzohen për krime të ndryshme, kryesisht vrasjet dhe pritet që pjesën e mbetur të dënimit ta kryejnë në Shqipëri, përcjell albinfo.ch.

Në mesin e tyre është edhe 45-vjeçari Mane Driza, vrasësi që njihet ndryshe me pseudonimin ‘Al Pacino’ dhe ‘Tony Montana’ ose ‘Scarface’,  e që  është dënuar me 336 vjet burg në Mbretërinë e Bashkuar për vrasje.

Sipas kësaj marrëveshjeje të ratifikuar javën e shkuar, Britania e Madhe do t’i paguajë Shqipërisë 4 milionë paund në vit për t’i mbajtur 200 nga kriminelët më të rrezikshëm shqiptarë të burgosur për vepra penale, përfshirë vrasjen, përdhunimin, vjedhjen me banesa dhe tregtimin e drogës.

Kush janë vrasësit?

Driza kishte qëlluar për vdekje baba e bir në Shqipëri në vitin 1997 përpara se të ikte në MB me një emër tjetër. Në vitin 1999, ai vrau një bashkatdhetar Stefan Mone, duke e goditur 120 herë me thikë.

Pasi shkoi në Itali, vrau dy burra në një bar në Sicili gjashtë muaj më vonë, duke shmangur me vështirësi vrasjen e një të treti kur iu bllokua arma.

I intervistuar në burgun në Sicili nga detektivët e Scotland Yard, ai pretendoi se zoti Mone kishte planifikuar ta vriste atë për t’u hakmarrë për vrasjet e tij të mëparshme. Ai u dënua me burgim të përjetshëm, për të kryer një minimum prej 20 vjetësh, shkruan “The Sunday Telegraph”.

Koci Selamaj, 37 vjeç, një ish-punonjës garazhi i dënuar me minimum 36 vjet burg për vrasjen e mësueses së shkollës fillore Sabina Nessa në shtator 2021.

Refuzimi i tij për t’u paraqitur në bankën e të akuzuarve për të dëgjuar dënimin e tij ka bërë që Sekretari i Drejtësisë Alex Chalk të rishkruajë ligjet e Mbretërisë së Bashkuar për të detyruar shkelësit të përballen me gjykatat.

Ali Qazimaj 49, u dënua të paktën 35 vjet pasi vrau çiftin e pensionistëve Peter Stuart, 75 vjeç dhe gruan e tij Sylvia 69, pranë shtëpisë së tij në Suffolk në qershor 2016. Ai kishte punuar si kujdestar për një të afërm të dhëndrit të Stuarts dhe kufoma nuk është zbuluar kurrë, përcjell albinfo.ch.

Erland Spahiu, 34 vjeç, u dënua me 35 vite për rolin e tij në rrëmbimin dhe vrasjen e ish-boksierit Christopher Hughes në Lancashire.

Erion Voja, 22 vjeç, ishte anëtari i dytë i bandës së tetë personave të dënuar për një total prej 229 vitesh burg për vrasjen e z. Hughes. Teksa e çuan në qeli për të vuajtur dënimin 23-vjeçar, Voja bërtiti: “Unë e di veten, nuk jam vrasës. Unë do të marr drejtësinë time një ditë ju t…”, shkruan “The Sunday Telegraph”.

Besnik Berisha, 45 vjeç, u burgos për 33 vjet pasi u paraqit si oficer policie duke goditur me thikë 42 herë një shokun e tij në një ekzekutim të egër jashtë një shkolle. Viktima, Shkelqim Paja, një baba 36-vjeçar, kishte kërkuar shlyerjen e një huaje prej 15 mijë funte për Berishën.

Eugert Merizaj, 33 vjeç, u dënua me 32 vjet burg për vrasjen e një shoku të tij trafikant droge me një armë gjahu të prerë në pikën e zezë, ndërsa Lundrim Gjikokaj, 40 vjeç, u dënua me 28 vjet për vrasjen e një bashkëqytetari 27-vjeçar shqiptar për të shmangur shlyerjen e një borxhi prej 250,000 paund, përcjell albinfo.ch.

Elton Sefa, 27 vjeç, u dënua me 22 vjet burg për vrasjen e kolegut të tij punëtor ndërtimi John Woodward pas një sherri në një kantier ndërtimi të lartë në Hatton Garden, në lindje të Londrës.

Josif Nushi, 27 vjeç, anëtar i bandës shqiptare, u dënua me 20 vjet për rrahjen për vdekje të një burri që kishte tentuar t’u vidhte drogën, siç ishte Mihal Dhana, 29 vjeç, i dënuar me 16 vjet për vrasjen e Tomasz Waga, 23 vjeç. Motra e Waga-s i tha Gjykatës së Newport Crown se trupi i vëllait të saj ishte “i hedhur si një qese me mbeturina”.

Radian Lika, 36 vjeç dhe Brikel Palaj, 33 vjeç, u dënuan të dy me 20 vjet burgim minimal për vrasjen me thikë të një bashkëqytetari shqiptar në një përleshje me thikë për një fermë kanabisi.

Shqiptarët Dorian Pirija, 33 vjeç dhe Qazim Marku, 25 vjeç, u burgosën me 19 vjet pas një mosmarrëveshjeje të ngjashme për një marrëveshje ferme kanabisi që rezultoi në vrasje, shkruan “The Sunday Telegraph”.

Erlin Hasa, i dënuar me 23 vjet burg, u përshkrua si një përbindësh në gjykatë pasi vrau me thikë një burrë në një sulm të paprovokuar në një banesë.

Ndërkohë Ulsi Manja, ministri shqiptar i drejtësisë, tha se synonin të kishin transferimet e para në shtator pas aplikimeve në gjykatat shqiptare për të njohur dënimet e dhëna nga gjyqtarët e Mbretërisë së Bashkuar.

E nga Britania e Madhe thonë se janë dëbuar 10,000 shkelës ligji të huaj, në tre vitet e fundit, përcjell albinfo.ch.