Lajme

Dita e gjashtë e “Javës së Kulturës së Kosovës në Berlin”

Përveç analizave letrare, gjatë mbrëmjes u lexuan edhe fragmente të përzgjedhura nga veprat e autorëve

Mbrëmë, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, në kuadër të “Javës së Kulturës së Kosovës në Berlin”, u organizua një mbrëmje e veçantë letrare, kushtuar promovimit të librave “Qetësi e prishur” të autorit Bekim Blaku dhe “Hije kujtimesh” të aktorit dhe shkrimtarit Çun Lajçi.

Aktiviteti u hap nga ambasadori Faruk Ajeti, i cili në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e letërsisë dhe kulturës si ura lidhëse mes popujve, si dhe rolin e krijuesve kulturorë në promovimin e identitetit, historisë dhe vlerave të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai falënderoi autorët për kontributin e tyre në pasurimin e kulturës shqiptare, si dhe të gjithë të pranishmit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj aktiviteteve kulturore.

Dibran Demaku, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, mbajti një vështrim kritik letrar mbi veprën e Çun Lajçit, duke vlerësuar krijimtarinë e tij të pasur dhe shumëdimensionale. Ndërkaq, gazetari dhe publicisti Hajriz Mamaj prezantoi një analizë kritike të romanit “Qetësi e prishur” të Bekim Blakut, duke vënë në pah vlerat letrare dhe artistike të veprës, shkruan albinfo.ch.

Përveç analizave letrare, gjatë mbrëmjes u lexuan edhe fragmente të përzgjedhura nga veprat e autorëve. Kjo u mundësoi të pranishmëve të njiheshin më nga afër me temat dhe mesazhet që trajtojnë librat, si dhe të merrnin pjesë në diskutime frymëzuese rreth letërsisë.