Integrimi

20 vjet të shoqatës së parë të studentëve shqiptarë në Zvicër

Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Lozanës edhe sot, pas 20 vitesh, bën bashkë studentët shqiptarë, të cilët takohen çdo javë në takime ku ende gjuha kryesore e komunikimit është shqipja. Si do të jetë pas 20 vjetëve?

Kryetarja e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë futet në sallë dhe në një shqipe me një aksent të fortë frëng thotë: “Siç e kemi traditë, mbledhjen e filloj në gjuhën shqipe. Por, pasi kemi  mysafirë dhe anëtarë të tjerë që nuk flasin shqip, në frëngjishte është më lehtë. Ndryshe mund të kyçeni në përkthyesin automatik”.

Kryetarja ulet në karrige dhe prek sipërfaqen interaktive mbi tavolinën e sallës së Universitetit të Lozanës dhe pas prezantimit të anëtarëve të rinj fillon të diskutojë për filmin e parë hologram të bërë nga artistët kosovarë që do të shfaqet në teatrin e ri të hologrameve në Universitet.

Pasi filmi do të jetë i punuar në teknikën vetëpërkthyese, atëherë edhe studentët që nuk dinë shqip do të vinë në shfaqje. Shfaqja do të mbahet në atelienë kryesore të universitetit pasi që tashmë kjo shoqatë ka mbi 3000 anëtarë të rregullt dhe shumë të tjerë më korrespondencë…

Mbase, kështu do të mund të dukej një mbledhje e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë, në vitin 2034, njëzet vjet nga sot.

Të enjten më 4 dhjetor 2014, pikërisht 20 vjet nga dita e themelimit, sikur secilën javë Fjolla Hoxha, studente e vitit të tretë të fakultetit juridik në Universitetin e Lozanës, hapi mbledhjen e shoqatës. Në sallë ishin mbledhur mbi 20 persona, të cilët biseduan për tri aktivitete që organizoheshin nga kjo shoqatë e themeluar 20 vjet më parë, në dhjetor të vitit 1994.

Nga kantieret e ndërtimit, shqipja depërton në katedra profesorësh

“Grupi për kulturë propozon që të shfaqet filmi “14 vjeç dhëndër”, besoj se jeni të pajtimit”, pyet Fjolla. Tutje diskutimi vazhdon dhe vendoset që ky film të shfaqet dhe se mysafirët nga jashtë janë të mirëseardhur nëse filmi ka titra.

Mandej mbledhja vazhdon me diskutime rreth logos së re, potencialisht me përkrenare të Skënderbeut, dhe organizimit të ceremonisë së shënimit të 20 vjetorit të shoqatës.

Ishte një mbledhje gati e zakonshme në një sallë në Universitetin e Lozanës ku flitej shqip, me periudha të shkurtra kur gjuha kthehej në frëngjishte për të plotësuar atë që ishte paksa e vështirë të shprehej në gjuhën shqipe. Aty ishin mbledhur studentë, të letërsisë, mjekësisë, ekonomisë dhe menaxhimit si dhe të drejtimeve të tjera, që në të ardhmen do të mbushin zyrat në ndërmarrjet zvicerane duke e bartur kështu ngadalë diasporën  shqiptare nga punët në kantiere ndërtimi në zyra bankash, spitale dhe katedra profesorësh.

Në sallë ishin rreth 20 persona por kjo nuk është pasqyrë e numrit të studentëve shqiptarë në Zvicër. “Unë e kam listën e të gjithë studentëve të Universitetit të Lozanës, në secilën faqe janë nga tre katër emra shqiptarë, e numri i fletëve është me qindra”, shpjegon Fjolla, kryetare e kësaj shoqate.

Ajo mburret me punën e vet, pohon se ka bërë shumë në angazhimin e kësaj shoqërie dhe rritjen e anëtarësisë së saj. Ata mblidhen çdo javë dhe shikojnë se çfarë aktivitetesh do të organizojnë për tu rrjetëzuar në mes vete.

Si do të funksionojë shoqata pas 20 viteve?

“Ne lidhim shoqëri më shpejtë në mes vete, kemi sensin e njëjtë të humorit për këtë edhe mund të shoqërohemi më shumë, shpjegon ajo, duke ju referuar lidhjes së shqiptarëve studentë në mes vete. Ky edhe është qëllimi i shoqatës dhe aktiviteteve të saj”.

Në një bisedë të hapur pas mbledhjes javore, studentët në 20 vjetorin e shoqatës shprehën mendimet e tyre për atë se si mund të duket kjo shoqatë pas 20 vjetësh, kur anëtarët e kësaj shoqate do të jenë nga gjenerata e tretë e shqiptarëve të Zvicrës.
Në tryezë dominoi mendimi se edhe pas 20 vjetësh në mbledhje ende do të flitet shqip, ose shqip me ndonjë përzierje të vogël, por funksioni dhe qëllimi i shoqatës do të jetë i njëjtë: forcimi i lidhjeve në mes të studentëve shqiptarë në Lozanë.

Besojmë se ky do të jetë funksioni edhe pas 20 vjetëve, pohoi kryetarja gjë që u aprovua edhe nga të tjerët.

Mirëpo kjo shoqatë, e para e studentëve shqiptarë në Zvicër, në themelimin e saj nuk e kishte vetëm këtë funksion. Atëbotë Driton Kajtazi, Bashkim Iseni, Gjon Gega, Alban Ismajli dhe të tjerë u angazhuan që të vendosin themelet e kësaj që ekziston sot, duke përfshirë edhe pranimin e kësaj shoqate në organizatat e rrjetëzuara të studentëve.

Ndërrim interesant i renditjes së shqipes me frëngjishten

“Njohja e statuseve nga Rektorati i Lozanës dhe njohja nga FAE ‘organizatë e bashkangjitur’ na dha që në fillim hov dhe cytje në veprimet tona, përkujton Driton Kajtazi, tash udhëheqës i një instituti në Zvicër dhe profesor i gjuhës frënge.
“Qëllimi parësor i shoqatës, ishte që studentët të njihen dhe të mbështesin njëri-tjetrin, që numri i studentëve të shtohet dhe që ne, studentët, të kontribuonim për një njohje të ndërsjellë më të mirë të vendeve nga vinim dhe të Zvicrës”, shton ai.

Sa i përket gjuhës, për ndryshim nga tash, në mbledhje flitej frëngjisht, edhe pse gjuha komunikuese në mes të studentëve shqiptarë ishte shqipja, përderisa tash është e kundërta: në mbledhje shqip, në rrugë në mes vete kryesisht frëngjisht.
“Meqë në kryesi kishim edhe zviceranë, në mesin e tyre edhe sekretarin, mbledhjet kryesisht bëheshin në gjuhën frënge por komunikimi në mes studentëve shqiptarë në aktivitete e shkëmbime bëhej në gjuhën shqipe”, shpjegon Kajtazi.

Kohëra të ndryshme, probleme të ndryshme

“Uhaa, ku më ktheve”, përkujton Bashkim Iseni, njëri prej themeluesve të shoqatës para njëzet vjetëve. “Po ne qëllimin e parë e kemi pasur rritjen e numrit të studentëve shqiptarë nëpër universitete. Ne ishim shume pak atëherë dhe angazhoheshim ta rrisim këtë numër. Pastaj jemi angazhuar për pjesëmarrje në protesta për çështje kombëtare dhe kemi  punuar të ndihmojmë studentët nga Kosova”.

Fjolla, tashmë nuk e ka telashe rritjen e numrit të studentëve por më shumë kontaktimin e atyre që janë duke studiuar që të bashkohen në këtë shoqatë për ta bërë më të mirë.
Gjatë mbledhjes ajo nuk diskutoi vetëm për kontaktimin e studentëve shqiptarë në universitete të tjera të Lozanës por edhe për kontaktimin e gjimnazistëve që kur ata të vinë në Universitet t`i bashkohen kësaj shoqate.

“Është problem të bësh lidhje me universitete të Kosovës. Ne nuk njohim njerëz atje ndërsa ata pak studentë që vinë nga Kosova na thonë kryesisht se nuk ja vlen të merresh me universitete të Kosovës”.
Mirëpo, shton Fjolla “këtë vit do të shkojmë në shkollën verore ne Prishtinë dhe do të krijojmë kontakte”.

Kosova mbetet ne fjalorin dhe mendjen e këtyre studentëve. Ata të gjithë përkujtojnë bilbordin “Diasporë, mirëserdhe në Kosovë”, gjë e cila i bën të ndjehen mirë, por përtej saj kërkojnë më shumë muzikë dhe aktivitete “normale”. Si shembull i mirë është Dokufesti, si shembull i keq koncertet në sheshe.

 

Shkurt: Pyetje përgjigje Driton Kajtazi

 

Cili ishte qëllimi parësor i shoqatës ?
Qëllimi parësor i shoqatës, e krijuar me 3 dhjetor 1994, ishte që studentët të njihen dhe të mbështesin njëri-tjetrin, që numri i studentëve të shtohet dhe që ne, studentët, të kontribuonim për një njohje të ndërsjellë më të mirë të vendeve nga vinim dhe të Zvicrës. Njohja e statuseve nga Rektorati i Lozanës dhe njohja nga FAE “organizatë e bashkangjitur” na dha që në fillim hov dhe cytje në veprimet tona.

Çfarë aktivitetesh ka bërë shoqata ?
Kemi organizuar një sërë konferencash në universitet, kemi nxjerrë disa numra të një gazete në gjuhën frënge, kemi paraqitur shoqatën dhe shqiptarët në manifestime të ndryshme në universitet në bashkëveprim sidomos me FAE, AIESEC dhe UNES, kemi organizuar permanenca për personat e interesuar me kushtet e studimeve, etj.

Në çfarë gjuhe është folur në mbledhje të shoqatës?
Meqë në kryesi kishim edhe zviceranë, në mesin e tyre edhe sekretarin, mbledhjet kryesisht bëheshin në gjuhën frënge por komunikimi në mes studentëve shqiptarë në aktivitete e shkëmbime bëhej në gjuhën shqipe.

Falënderojmë studentët që ndihmuan në bërjen e këtij teksti:
Loreta Hoxha, Blerim Basha, Delvina Rracaj, Eliot Ahmeti, Flakron Sahiti.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI