Lajme

Agon Ushaku, në krye të konferencës më të madhe në botë për animacion

“Do të sigurohemi që FMX të mbetet konferenca kryesore në botë për gjeneratën e ardhshme të rrëfimit dixhital”, ka thënë Ushaku duke marrë detyrën

Eksperti shqiptar në fushën 3d Animation dhe Interaktion Agon Ushaku do të marrë përsipër drejtimin e FMX – Film & Media Exchange në vitin 2027. Ai do të zëvendësojë Mario Müller, Menaxherin e Projektit FMX prej kohësh, i cili ka dhënë dorëheqjen pas edicionit të 30-vjetorit në maj 2026.

Agon Ushaku ka 25 vjet përvojë në këtë sektor. Ai më parë ishte Drejtor i Menaxhimit CAD në Unexpected GmbH, shkruam albinfo.ch. Ushaku është gjithashtu anëtar i bordit të Shoqërisë së Efekteve Vizuale të Gjermanisë. Të theksojmë: Konferenca FMX  që mbahet në Stuttgart konsiderohet aktiviteti më me ndikim i takimeve në Evropë për animacion, VFX dhe prodhimin e mediave dixhitale.

Menaxheri aktual i Projektit të konferencës me seli në Stuttgart për animacion, efekte vizuale dhe prodhim mediatik dixhital, Mario Mueller, ishte mentor i pasardhësit të tij në edicionin e 30-të .

Agon Ushaku sjell përvojë të konsiderueshme në këtë rol. Ai aktualisht shërben si Drejtor Global i Eventeve të Nominimeve për Shoqërinë e Efekteve Vizuale (VES) dhe si kurator i serisë ndërkombëtare Megabrain Masterclass.

Mario Mueller dhe Agon Ushaku (Foto: FMX)

Në një njoftim për shtyp nga FMX, Mario Mueller duke komentur mbi dorëzimin e ardhshëm të detyrës shkruan: “Gjatë 15 viteve të fundit, ka qenë një nder të mbështesim një komunitet kaq krijues – me një ngjarje që ndan njohuritë, frymëzimin dhe vlerat e anëtarëve të saj në nivelin më të lartë ndërkombëtar. Jam i kënaqur që kemi gjetur dikë që mund ta marrë përsipër këtë detyrë me kompetencë dhe pasion të madh – Agon Ushaku është një mik besnik i FMX dhe komunitetit.”, transmeton albinfo.ch.

“Për gati tre dekada, FMX ka qenë vendi më i rëndësishëm për krijimin e rrjeteve të mia”, thotë Agon Ushaku, duke shpjeguar: “Si një profesionist i apasionuar i CG-së me përvojë të gjerë, kam marrë pjesë në pothuajse çdo edicion, si vizitor dhe si folës, dhe kam përjetuar energjinë e jashtëzakonshme të këtij komuniteti nga afër.”

“Ne do të sigurohemi që FMX të mbetet konferenca kryesore në botë për gjeneratën e ardhshme të rrëfimit dixhital.”

“Mario Müller e udhëhoqi FMX-in me përkushtim të madh për shumë vite dhe suksesi gjatë asaj kohe flet vetë. Patjetër që do të na mungojë”, thotë Jan Pinkava, Kryetar i Konferencës së FMX-it dhe Drejtor i Institutit të Animacionit në Filmakademie Baden-Württemberg. “Me Agon Ushakun, kemi gjetur një pasardhës të denjë që ndan këtë angazhim ndaj komunitetit FMX, ka përvojë të thellë dhe një rrjet të gjerë në industri, dhe sjell shumë ide të reja për të ardhmen e FMX-it. Mirë se vini, Agon! Presim me padurim të punojmë me ty!”

FMX 2026 është zhvilluar nga 5 deri më 7 maj në Stuttgart. Ushaku ishte gjithashtu ndër folësit në panelin e Etikës në IA.

Agon Ushaku nga Prishtina, gjendet ne skenën e Visual Computing dhe CGI, që nga fundi i viteve ‚90.

Agoni jo vetëm që është një ndër të parët shqiptarë që merret në shkallë profesionale me fushën 3d Animation dhe Interaktion por është edhe aktivisht në lidhje të ngushtë me projekte të ndryshme nga repartet e „Research & Developement“ (hulumtim dhe zhvillim), si në Institutin e Animacionit, po ashtu edhe në Fakultetin e Mediave dhe Teknologjisë në Stuttgart, shkruan albinfo.ch.

Aktiviteti i tij profesional, konsiston edhe në përkrahjen dhe mentorimin e diplomantëve dhe punimeve studentore Master, të institucioneve të sipërpërmendura.